Franca ka shpallur “zona të fatkeqësive natyrore” ishujt Saint-Martin dhe Saint-Barthelemy të cilët janë territore të jashtme në Karaibe, që janë goditur nga uragani Irma, i cili përparon në Oqeanin Atlantik, raporton Anadolu Agency (AA). Sipas vendimit të publikuar në gazetën zyrtare theksohet se ishujt Saint-Martin dhe Saint-Barthelemy janë shpallur “zona të fatkeqësive natyrore” për shkak së stuhia Irma ka shkaktuar rrënime të mëdha.
Në një deklaratë kompania shtetërore e sigurimeve të Francës, CRR, e cila do të financojë dëmin e shkaktuar nga fatkeqësia natyrore, ka njoftuar se dëmi total i parashikuar arrin në 1,2 miliardë euro. Në deklaratën ku vihet në dukje se uragani Irma është një prej stuhive më të mëdha që ka prekur territoret e jashtme të Francës në 35 vitet e fundit, theksohet se asetet financiare të kompanisë janë në nivelin për të përballuar dëmin.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb, në një deklaratë të bërë ditën e djeshme theksoi se për shkak të uraganit në dy ishujt kanë humbur jetën 9 persona, 7 janë zhdukur dhe 112 të tjerë janë plagosur. Ndër të tjera njoftohet se 60 për qind e ndërtesave në ishullin Saint-Martin kanë dalë jashtë përdorimit. Uragani Irma që ka goditur ishujt Karaibe dhe Porto Rikon në Oqeanin Paqësor theksohet se është duke përparuar në veri dhe perëndim drejt Republikës Dominikane dhe Haitit.