Ishte njeri i mirë, vodhi – por bëri dhe për popullin!

824

Duhet qartësuar se ky shkrim nuk ka për qëllim që të flasë vetëm për një grupacion të caktuar politik. Jo! Këtu përfshihet çdo politikan që ardhjen në pushtet e shikon si biletë fituese të lotarisë. Është evidente që për të gjitha arsyet e shëndosha, edhe në strikto sensu, ky fenomen duhet ndryshuar! Duke ju kthyer prapë “kujtimit të mirë”, duket se është koha që vendet e drejtimit të shtetit duhet t’i takojnë atyre politikanëve, të cilët duan të mbeten Kujtime të Mira!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Ky titull i gjatë sa një mendim që bie ndesh me titujt e shkurtër e konciz që preferohen zakonisht për shkrime, mban një të vërtetë të madhe dhe po kaq të madh ka dhe absurditetin e saj. Fjalia “ishte njeri i mirë, vodhi por bëri dhe për popullin” është si të thuash “fatura e suksesit” për një politikan në Maqedoni sepse zakonisht për politikanët dëgjon etiketime si: hajdut, njeri i lidhur me krimin, agjent, kopil (dhe pas kësaj vijnë epitete që kodeksi i etikës nuk lejon të përdoren).

Madje tashmë ka kohë që është formuar gati një bindje e verbër se kush është politikan në pushtet, patjetër që i ka duart e pista. Sigurisht që përgjithësimi është një gabim që i ka kushtuar shtrenjtë shoqërive njerëzore, dhe sigurisht që jo të gjithë ata që janë në pushtet janë hajdut e kriminelë, por…padyshim që shumica dërrmuese kanë zhvilluar një karrierë në pushtet me qëllimin e vetëm që të pasurohen vet.

Të gjithë jemi dëshmitarë për burra e pak gra që kanë hyrë në pushtet me 500 denarë në xhep dhe brenda një kohe të shkurtër kanë arritur të kenë prona me vlera marramendëse, Grabitjet e qarta të tokave, tenderimi i vet tendereva, mitmarrjet, gjobvëniet, abuzimi me buxhetet e shtetet, janë bërë të gjitha në sy të popullit, ndërkohë që ky i fundit është gjendur në qarkun e madh, sepse nuk ka pas ku të ankohet. Network-u i pushtetarëve hajdutë është aq i fortë sa ka arritur të zaptojë çdo hallkë të zinxhirit shtetëror. I gjendur para kushteve të tilla, populli ka reaguar vetëm me anë të votës, e cila sado e grabitur, ka vërtetuar dobësimin deri në eliminim të klaneve mafiozë. Këtyre grupeve që nuk mund të jetojnë dot më pushtet, ju ka ardhur fundi i epokës së mbretërimit, por është një aspekt tjetër për të cilin do të diskutojmë sot.

Një fjalë e urtë në kohë të çmendura thotë: Shumë shpejt do të jesh një kujtim, jeto për të qenë një kujtim i mirë!

Mençuria e kësaj proverbe është e thjeshtë dhe e qartë. Është e pashpjegueshme se politikanë të tërë, të cilët kanë rrokur fronet e pushtetit, nuk e kanë menduar fare këtë pjesë… Sado para e katandi të kesh, duhet të jetë ekstremisht e rëndë, të përflitesh si kriminel dhe hajdut! Sado kostum të firmosur të veshësh e sado të flasësh nga foltore institucionale, duhet të jetë tejet e vështirë të dish që të gjithë të përflasin si horr, burracak e tradhtar. Sado të të shijojë shtëpia e pushimeve duhet të jetë shumë e vështirë të të zërë gjumi brenda një dhome ku çdo tullë është vendosur me paret e grabitura të popullit. Duhet të jetë ngulfatës fakti që lajkatarët e oborrit të lavdërojnë e respektojnë si mbret, por ta dish që nëse nuk i qeras me tendera disa milionësh, nuk do të hidhnin as sytë!

Lista e një jete kaq mjerane si është ajo e një hajduti në kufijtë e krimit është kaq e gjatë dhe e trishtuar, sa përnjëmend mund t’i dedikohet edhe një libër…por le të bëhemi psikologë cinikë e le të themi se këtyre pushtetarëve hajdutë as nuk ju shkon mendja tek mendime të tilla. Në vend të ndërgjegjes ata kanë një magnet që thith para me forcën e fizikës! Në rregull. Le ta shohim edhe në këtë prizëm. Le të mendojmë që këta hajdutë që kërkojnë vota ditën nën flamujt e demokracisë, vjedhin e vrasin natën nën flamurin e tiranisë, janë individë që i takojnë spitalit e pastaj burgut, dhe si mjek jam katërçipërisht dakord me këtë gjë. Por…sërish si mjek, shkenca na ka treguar se edhe shtaza është gati të vrasë për të vegjlit e saj, dhe këto politikanë sado të dehumanizuar në shumë aspekte, mbeten prindër. Atyre ju dhimbsen fëmijët e tyre, sado ndoshta në forma krejt të çuditshme, ju dhimbsen pa asnjë dyshim. Pyetje retorike është: po si durojnë kur fëmijët e tyre përfliten nga të gjithë si djali/vajza e hajdutit? Si nuk i zë halli kur fëmijët e tyre qartazi konsiderohen si trashëgimtar të krimit e urrehen në masë nga të gjithë?! Me gabimin fatal të iluzionit të përjetësisë, ata mendojnë se do të jenë gjithnjë gjallë e të gatshëm për të blerë miqësinë, respektin dhe dashurinë…

Të ndërgjegjshëm që nuk mund të japin asnjë fije dashuri se nuk kanë, këta pushtetarë hajdutë, vendosin nën satër kokën e fëmijëve të tyre, të cilët rrojnë shumë më keq se shumica e fëmijëve të varfër. Ata kanë rrethohen nga para dhe urrejtje sociale. Ata e dinë dhe e vuajnë. Ata nuk kanë faj sepse ata janë viktima të baballarëve të tyre, të cilët në një vend të çmendur si ky, në vend që të kurohen spitaleve, drejtojnë fatin e shtetit që kanë kohë që e kanë hedhur në plehra. Si thotë populli “jeshil nga mendja” ashtu janë edhe këta perandorë të mjerë që pa zemër e me shumë urrejtje, janë kthyer në lolo e fëmijët e tyre i kanë dëmtuar edhe disi më shumë.

Duhet qartësuar se ky shkrim nuk ka për qëllim që të flasë vetëm për një grupacion të caktuar politik. Jo! Këtu përfshihet çdo politikan që ardhjen në pushtet e shikon si biletë fituese të lotarisë. Është evidente që për të gjitha arsyet e shëndosha, edhe në strikto sensu, ky fenomen duhet ndryshuar! Duke ju kthyer prapë “kujtimit të mirë”, duket se është koha që vendet e drejtimit të shtetit duhet t’i takojnë atyre politikanëve, të cilët duan të mbeten Kujtime të Mira! Duhet të marrë fund epoka e frikshme ku komplimenti më i madh për një pushtetar të pensionuar është: ishte burrë i mirë, vodhi po bëri dhe për popullin… Le të vijnë në pushtet njerëz të cilët e duan veten e tyre aq sa dinë të duan edhe të tjerët. Të cilët nuk e shikojnë postin si trampolinë drejt pushtetit, por si një mundësi për t’u kthyer në një kujtim të mirë. Që më në fund klasa pushtetare të fitojë respektin që deri tani është i zëvendësuar nga urrejtja dhe frika. Le të fillojë festa e pushtetit që punon për qytetarin e që ky i fundit do ta shkruajë medoemos në faqet e bardha të historisë, e nipat e stërnipat do të jenë krenarë për paraardhësit e tyre që lanë nder e lavdi, e nuk do të ulin kokat me turp si këta tani!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)