Shkup, 25 janar – Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) lidhur me akuzat nga ana e spitalit “Sante plus”, kumtoi se veprimet e tij janë ekskluzivisht në pajtim me ligjin dhe kompetencat ligjore.
ISHSSH dje kumtoi se ka konstatuar mangësi gjatë mbikëqyrjes së jashtëzakonshme inspektuese në spital lidhur me respektimin e rregullativës ligjore, pas çka ka dhënë ndalesë për punën e tij deri në mënjanimin e mangësive.
Nga ISHSSH i hedhin poshtë si manipulative akuzat se ka për qëllim ta prishë reputacionin e spitalit privat. ISHSSH, thekson, nuk ka për qëllim ta prishë reputacionin e askujt, por sigurisht edhe më tutje do ta kryejë detyrën e vet të caktuar me ligj.
“Reagimet me të cilat komentohen kumtesat dhe veprimi i ISHSSH dhe prezantimit se dikush është i dëmtuar dhe viktimë, i konsiderojmë si ushtrim i drejtpërdrejtë i presionit ndaj punës së Inspektoratit. Duke pasur parasysh se ende nuk është kryer mbikëqyrje inspektuese, si dhe mbikëqyrja profesionale, do të kishim lutur për përmbajtje nga komentet arbitrare dhe me atë rast përmendim se asgjë nuk do të ndikojë në konstatimin e gjendjes faktike, e cila është në interes të të gjithë qytetarëve”, qëndron në kumtesë.
Nga ISHSSH theksojnë se më tutje nuk do të polemizojnë përmes mediave lidhur me lëndën, por pas përfundimit të mbikëqyrjes nga ana e ISHSSH, si dhe pas përfundimit të punës së Komisionit për mbikëqyrje profesionale, të formuar nga ana e ministrit të Shëndetësisë, do të dalin me deklaratë përfundimtare lidhur me rastin.