Shkup, 15 tetor – Një rast i dyshuar i fruthit është regjistruar javën e kaluar. Gjatë, inkubacionit, personi ka qëndruar jashtë vendit dhe i përket grupmoshës 20 deri 29 vjeç. Testet laboratorike janë duke vijuar. Deri më sot, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të fruthit në vend është 1900, me shkallë të prekjes nga kjo sëmundje prej 91,8 nga 100.000 banorë. Akoma vijon epidemia e fruthit në territorin e gjithë vendit, qëndron në raportin e publikuar në ueb faqen e Institutit për Shëndet Publik.
Sipas vendbanimit të përhershëm, raste të fruthit janë regjistruar në 24 qytete. Numri më i madh është regjistruar në Shkup – 997, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Strugë – 165,1 nga 100.000 banorë. Mosha e të sëmurëve ndryshon nga një muaj deri më 63 vjeç. Numri më i madh i të prekurve është i moshës mbi 30 vjeç- 852 (44,9 përqind), ndërsa incidenca më e lartë prej 1.399 nga 100.000 banorë është regjistruar te fëmijët nën një vjeç.
Sipas statusit të vaksinës, 1.529 (80,5 përqind) e të prekurve janë të pavaksinuar, të pavaksinuar plotësisht ose me status të panjohur vaksinal. Sipas rezultateve të mostrave të dërguara në laboratorin referues të fruthit në Luksemburg, gjenotipi B3 Dublin po qarkullon edhe në vendet fqinje.
Në javën e 40-të në vend janë vaksinuar gjithsej 1.580 fëmijë (mosha parashkollore dhe shkollore). Numri i përgjithshëm i personave të vaksinuar deri në moshën 14 vjeç me vaksinën MRP nga fillimi i epidemisë në të gjithë vendin është 41.013 (në numrin e përgjithshëm të vaksinuarve janë të përfshirë fëmijët e vaksinuar rregullisht dhe ata të cilët kanë humbur vaksinimin MRP). Që nga fillimi i epidemisë deri më tani, në qendrat e shëndetit publik, gjithashtu janë aplikuar 6.288 doza të vaksinave, prej tyre më shumë se 60 përqind janë punonjës të shëndetit, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme të mjekësisë, ndërsa pjesa tjetër janë persona të moshës mbi 14 vjeç.