Shkup, 1 shkurt – Gjatë javës së kaluar (prej 21 deri më 27 janar), janë regjistruar 643 të sëmurë nga gripi, që është rritje për 20,2 për qind në krahasim me një javë më parë kur ishin regjistruar 535 të sëmurë nga gripi, theksohet në raportin, të cilin në ueb faqen e tij e publikoi Instituti i Shëndetit Publik, njofton Koha.
Numri i personave të raportuar javën e kaluar është më i vogël për 40,7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar kur ishin lajmëruar 1.085 raste. Aktiviteti i virusit të gripit është nën nivelin sezonal, gjegjësisht ende nuk është arritur pragu i hyrjes në sezonin e gripit.
Këtë javë, në laboratorin e virusologjisë në ISHP kanë arrit 19 materiale për testimin e gripit, prej të cilave 12 (63,2 për qind) janë pozitiv në praninë e virusit të gripit -10 Influenza A(H1N1)pdm09 dhe dy Influenza A(H3).
Numri më i madh i të sëmurëve (457) janë paraqitur në grupin më të madh të moshës prej 15-64 vjet, ndërsa incidenca më e lartë prej 50,8 në 100.000 banorë është regjistruar te fëmijët e moshës deri në katër vjet.
Këtë javë janë lajmëruar persona të sëmurë nga 25 njësite raportuese. Numri më i madh i të sëmurëve janë paraqitur nga territori i Qendrës për Shëndet Publik Shkup (85), ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në territorin e Njësitit territorial Dibër (209 në 100.000 banorë).
Në sezonin 2018/2019 numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi është 2.873. Këtë sezon, numri më i madh i të sëmurëve janë regjistruar në Njësitin territorial Gostivar (568), dhe në Qendrën për Shëndet Publik Tetovë (359) dhe në Qendrën për Shëndet Publik Shkup (283).
Nga fillimi i sezonit 2018/2019, në laboratorin e virusologjisë dhe diagnostikës molekulare pranë ISHP, kanë arritur 99 materiale humane nga institucionet shëndetësore – nga pacientë të kuruar në ambulanca dhe spitale, prej të cilëve 21 (21,2 për qind) janë pozitiv për praninë e virusit të influencës.
Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria për Shëndetësi Elektronike, janë vaksinuar gjithsej 19.942 persona me vaksina falas kundër gripit sezonal (persona më të moshuar se 65 vjet me pension mesatar, nën mesatar ose pa të ardhura). (koha.mk)