Nuk është e pazakontë të shohësh një jetë me më shumë hije sesa drita për disa futbollistë pas tërheqjes: ka shumë histori të pasurive të shpërdoruara ose thjesht menaxhim jo shumë të kujdesshëm të asaj që ata fituan.
Vështirësitë aktuale të Neil Webb kanë bërë bujë, sepse ai nuk është një emër çfarëdo: ish-mesfushori anglez pati një karrierë të gjatë dhe prestigjioze, duke luajtur për Manchester United dhe ekipin kombëtar të Tre Luanëve.
Edhe pse ishte në gjendje të luante edhe si mbrojtës, Webb kishte ‘zakonin’ e golit: ai shënoi mbi 100 në karrierën e tij, 4 prej të cilëve në 26 paraqitje për Anglinë.
Me Djajtë e Kuq të Alex Ferguson-it ai ka fituar një Kupë të Anglisë, një Kupë të Kupave dhe një Superkupë Europiane. Momente lavdie që kalimi i pamëshirshëm i kohës i ka bërë gjithnjë e më pak vezulluese, derisa shfaqen si hije të largëta.
Sot, në moshën 59-vjeçare, futbollisti i lindur në Reading është një burrë në telashe dhe nuk e fsheh: ai punon si korrier dhe duhet të shesë kujtimet e së kaluarës.
Pas përfundimit të karrierës së tij, Webb u përpoq pa sukses të bëhej trajner, më pas iu desh të gjente një mënyrë tjetër, duke mos fituar padyshimshumat që yjet e sotëm të futbollit kanë në gjep.
Ish-mesfushori e kuptoi që bota e futbollit nuk mund ta mbështeste më dhe për këtë arsye ai fillimisht punoi si postier dhe më pas aktualisht si korrier.
Që gjërat nuk po shkojnë mirë, kuptohet nga dëshira e tij – që fsheh një nevojë – për t’i privuar vetes disa kujtime shumë të rëndësishme për të, për t’i shndërruar në para më të dobishme për të në gjendjen aktuale.
“Kam pasur punë të shumta vitet e fundit dhe për momentin jam një korrier, – tregon Webb për Sun. – Brezi im fitoi mirë dhe mund të blesh një shtëpi të bukur, një makinë të bukur dhe t’i japësh fëmijëve të tu një arsim në shkolla private.
“Por për lojtarët e sotëm është një botë tjetër, nuk mund të lidhem me pagat e tyre të pabesueshme. Gjithmonë e kam ditur se do të më duhej të punoja pasi të ndaloja së luajturi”.
Më pas Webb shkon te pika dhe shpjegon se ai do të dëshironte të shiste fanellën dhe kapelën nga grumbullimi i tij i parë në Angli: “Unë mbush 60 vjeç në korrik dhe do të ishte mirë nëse fanella dhe kapela do t’i shkonin dikujt që i vlerëson ato. Do të më rrisë fondin e pensionit. Ato janë varur në murin e shtëpisë dhe nëse askush nuk vendos t’i blejë do t’i mbaj me kënaqësi”.
Ish-futbollisti i Nottingham Forest dhe Manchester United do të shesë fanellën dhe kapelën e tij të dashur të Three Lions – të cilat datojnë që nga debutimi i tij në një miqësore kundër Gjermanisë Perëndimore në 1987 – në një ankand më 6 qershor.
Nga kjo shitje ai pret të rikuperojë të paktën 15 mijë paund (17 mijë euro me kursin e këmbimit), të cilat do t’i japin pak qetësi në pamje të së ardhmes.