Argjentina prej vitesh ëndërron suksesin në një kampionat botëror. Edhe pse, pas Maradonës, arritën të kishin një tjetër yll në skuadër si Mesi, sërish nuk ia dolën. Për herë të fundit, ‘albiçelestet’ e kanë fituar Kupën e Botës në vitin e largët 1986.
Ndërkohë, përveç Maradonës në fushë, nga stoli Argjentinën e udhëhiqte trajneri Karlos Bilardo. Ish-tekniku, tashmë është në moshën 81-vjeçare dhe mbrëmjen e djeshme u detyrua t’i nënshtrohej operacionit, ndërsa gjendja e tij mbetet kritike.
Ish-tekniku prej ditësh ishte i shtruar por akumulimi i gjakut në zonën e trurit, bëri që të kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Bilardo vuan nga sindroma e Hakim-Adams, e cila shkakton probleme në sistemin nervor dhe në të ecur. Bilardo është detyruar t’i nënshtrohet operacionit tre herë gjatë këtij viti, por në këtë rast gjendja duket më serioze.