Buenos Ajres, 12 dhjetor – Ish-presidenti i Bolivisë, Evo Morales, i cili e braktisi vendin pas zgjedhjeve kontestuese presidenciale, udhëton sot nga Kuba në Buenos Ajres, ku ka për qëllim të qëndrojë, deklaroi shefi i ri i diplomacisë argjentinase Felipe Sola.
“Ai vjen që të qëndrojë në Argjentinë në cilësi të aplikuesit të azilit dhe më pas do të marrë status të refugjatit”, tha Sola.
Presidenti i ri i Argjentinës Alberto Fernandez në nëntor ka thënë se do t’i lejojë azil Morales, sepse konsideron se ish-presidenti i Bolivisë është “viktimë e tentimit për grusht shtet”.
Morales, i cili ishte i detyruar të japë dorëheqje pas protestave rrugore më 10 nëntor, u nis për në Meksikë më 12 nëntor. Ish-presidenti i Bolivisë shkoi në Kubë javën e kaluar, por vendosi për Argjentinë, ku fëmijët e tij janë zhvendosur në nëntor.
Ai është presidenti i parë i Bolivisë me prejardhje indiane.