Ish-përfaqësuesi politik dhe një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bardhyl Mahmuti, pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala, gjërësisht i njohur me nofkën komandant “Ujku”, i cili po akuzohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë për krime të pretenduara lufte.
“Me kërkesë të avokatëve të z. Pjetër Shala, kam pranuar të jem dëshmitar i mbrojtjes në këtë proces gjyqësor. Sot do të udhëtoj për në Hagë, për procedurat paraprake, ndërsa dëshmia ime do të fillojë të mërkurën, më 20 shtator 2023”, ka shkruar Mahmuti në llogarinë e tij në “Facebook” të hënën.
Ndryshe, prokurorët kanë ngritur katër akuza për krime të pretenduara lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë pretenduar se komandant “Ujku” ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.
Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre ishte vrarë, në nisje të gjykimit në Hagë (21 shkurt), ka thënë se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara e të pabazuara.
Në deklaratën e tij para trupit gjykues, ish-komandanti i UÇK-së ka deklaruar se kishte luftuar kundër një makinerie ushtarake të një regjimi kriminal sikurse ai i presidentit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç – kriminelit të paditur për krime lufte – por asnjëherë kundër civilëve.
Shala ishte arrestuar me 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge, ndërsa transferimi i tij në DHSK në Hagë u bë më 15 prill 2021. Gjykimi ndaj tij ka filluar më 21 shkurt. Ai ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa prokurorët e specializuar dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat hyrëse.
Ai ngarkohet për krime të pretenduara lufte që ishin kryer midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e UÇK-së.
Ndërkaq, në Hagë po vazhdon edhe gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-krerëve të kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.