Në Gjykatën Penale sot duhet të mbahet seancë për gjyshin e Tamarës nga Velesi, Lupço Stojanovski, i cili akuzohet për tentim për vrasje të ish ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov. Para Gjykatës duhet të dorëzohen analiza të reja psikiatrike që do t’i bëjë ISHP “Spitali Psikiatrisë – Shkup” dhe me të cilat duhet të konfirmohet nëse i akuzuari ka qenë i vetëdijshëm kur e ka kryer veprën penale.
Stojanovski më 1 qershor të vitit të kaluar gjuajti ish ministrin e Shëndetësisë, Nikolla Todorov, pasi vdiq mbesa e tij Tamara duke pritur operacion jashtë vendit. Ai është i akuzuar për tentim për vrasje dhe prodhim, mbajte dhe tregti të palejuar me armë apo materie shpërthyese. Stojanovski për shkak të ekzistimit të rrezikut të arratisjes dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale është në paraburgim.