Prishtinë, 29 shtator – Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq për shkak të veprës penale “Sulm Seksual”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.B., me datë 12 gusht të këtij viti , në ora 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në cilësinë e profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, i pandehuri cyt të dëmtuarën që ta prek për qëllime seksuale, pa pëlqimin e saj, derisa viktima arrinë të largohet nga i pandehuri dhe kërkon ndihmë fillimisht nga rojet e sigurisë , e me pas e raporton rastin në Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë në Pejë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se, i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.
Baliq i cili ishte minisër i Shëndetësisë në qeverinë e parë të pasluftës në Kosovë në vitet 2002-2003, edhe më parë, në korrik të vitit 2019, ishte akuzuar për shqetësim seksual të praktikantes në spitalin e njëjtë në Pejë, por gjykata e liroi për shkak të mungesës së dëshmive.