Aurah Ruiz ka konfirmuar në një intervistë për revistën “Lecturas” se gjyqtari e ka pranuar padinë e ish-partnerit të saj futbollist, Jesé Rodríguez (aktualisht luan me Betis, por ka veshur edhe fanellën e skuadrave të tilla si Real Madrid e PSG) për “ofendime dhe shpifje”. Ky i fundit, madje, kërkon dënimin me burg nga tre deri në pesë vite të ish-konkurrentes së “Big Brother VIP”.
“Po, ai paraqiti një padi në gjykatë për fyerje dhe shpifje. Disa ditë më parë më tha se do të përfundojmë në gjyq. Jesé Rodríguez kërkon dënimin tim me tri deri në pesë vite burg, – tha Aurah Ruiz. – Nëse do të përfundoj vërtet në burg, pasojat do të ishin brutale, së pari për djalin tim, pastaj për familjen”.
Ruiz është e dëshpëruar, sepse djali që ka me futbollistin spanjoll, tashmë një vjeç e gjysmë, është prekur nga një sëmundje e rrallë, që kërkon kujdesin e saj 24 orë në 24. Mbetet të shihet se çfarë do të vendosë gjykata, sepse lotët e nënës së djalit nuk e kanë prekur fare ish-futbollistin e Real Madridit.