[adning id="476476"]

Ish Jugosllavia dhe 30 vjet ballkanizim

288

Më 25 qershor 1991 Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë nga Beogradi, në përplasje me nacionalizmin e presidentit serb Millosheviç. Nisi kështu seria e konflikteve mizore që i kemi rievokuar me historianët Stefano Bianchini dhe Jože Pirjevec

Më 25 qershor 1991, 30 vite më parë, shkëputja e Sllovenisë dhe e Kroacisë nga Jugosllavia hapi një sezon konfliktesh të armatosura të kulmuar me luftën mizore në Bosnje – Hercegovinë, e zgjatur nga 1992 deri më 1995, dhe e vazhduar në vitin 1999 me ndërhyrjen ushtarake të NATO në Kosovë në favor të shumicës shqiptare kundër Serbisë. Për të diskutuar shkaqet dhe reflekset aktuale e krizës jugosllave u jemi drejtuar dy historianëve ekspertë të fushës: Stefano Bianchini të Universitetit të Bolonjës dhe Jože Pirjevec – ish pedagog i Universitetit të Padovas dhe atij të Triestes.

STEFANO BIANCHINI – Kriza u shfaq në gjysmën e dytë e viteve tetëdhjetë, por kishte filluar pas vdekjes së Titos në vitin 1980. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kërkuar Beogradit kthimin e borxheve të akumuluara. Qeveria federale mendonte se qenë 8 – 10 miliard dollarë, por në fakt qenë rreth dyfishi, pasi edhe republikat e veçanta, me autonominë e dhënë nga kushtetuta e vitit 1974, kishin mundur të siguronin hua. U futën masa rreptësie financiare të cilat shkaktuan tensione të forta sociale. Veç kësaj, autoritetet federale qenë të bllokuara nga vetot e kryqëzuara midis republikave. Në këtë paralizë u shfaq Sllobodan Millosheviçi, presidenti nacionalist i Serbisë, i vendosur ta modifikojë situatën me forcë: qe ai që suprimoi autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, të cilat i riktheu nën kontrollin serb. Në vijim të pamundësisë së një marrëveshjeje lidhur me të ardhmen e vendit, Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë më 25 qershor 1991.

Influencuan faktorë ndërkombëtarë?

STEFANO BIANCHINI – Pas prishjes së Titos me Stalinin në vitin 1948, Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Jugosllavinë në funksion antisovjetik, por kjo nevojë u zbeh kur blloku i udhëhequr nga Moska u shpërbë. Edhe Gjermania ja hoqi mbështetjen e mëpasme federatës dhe bindi edhe Italinë që të vepronte njëlloj.

JOŽE PIRJEVEC – Jugosllavia ishte shumë ndryshe nga Bashkimi Sovjetik. Pas prishjes me Moskën, ajo kishte ndjekur rrugën e një socializmi origjinal vetëadministrues dhe një politikë të jashtme mosangazhimi, por mbesnin analogji të konsiderueshme: partia e vetme komuniste në pushtet; prania e shumë kombësive të ndara në republika; dobësia strukturore e ekonomisë. Kjo ja hoqi legjitimiteti lidershipit federal, jetim i Titos. Kështu që mbizotëruan nacionalizmat, veçanërisht ai serb, që gjeti tek Millosheviçi një lider në gjendje t’i elektrizonte masat dhe t’i përdorte ato për një politikë agresive, nga e cila buroi shpërbërja e Jugosllavisë.

Ama nacionalizmi u rrit edhe në Slloveni e Kroaci?

JOŽE PIRJEVEC – I detyruar nga forca e gjërave. Millosheviçi përvetësoi politikën e Mbretit jugosllav Aleksandri i I, që duke filluar nga viti 1929 kishte vendosur diktaturën dhe centralizimin e pushtetit nën dominimin serb. Por ky program ishte i pazbatueshëm në vitet Tetëdhjetë, edhe pse Sllovenia e Kroacia qenë më të pasura e më të zhvilluara se Serbia. Sllovenët qenë në vijën e parë e kundërvënies ndaj Millosheviçit, por shumë shpejt u shoqëruan nga kroatët, që rizbuluan traditat e tyre të forta nacionaliste. Sikur kësaj i shtohen kriza e rëndë ekonomike dhe problemi i Bosnje – Hercegovinës – me myslimanë, serbë e kroatë të përfshirë në të njëjtën republikë – premisat e katastrofës qenë të qarta.

Qenë të pashmangshëm konfliktet e armatosura?

STEFANO BIANCHINI – Asgjë nuk është e pashmangshme, por fakti pse ndodh një ngjarje, sigurisht që ka edhe arsye. Më 24 janar 1991 presidenti slloven Milan Kuçan u takua me Millosheviçin për të dakordësuar një dalje paqësore të Lubjanës nga Jugosllavia. Serbi e pranoi, boll që t’i lejohej gjithë popullit të tij e drejta për të jetuar në një shtet të vetëm, gjë që nënkuptonte të rivendikoheshin pjesë të Kroacisë e të Bosnjes. Në këtë pikë Kuçan u tregua ambig dhe ngjalli zemërimin e presidentit kroat Franjo Tuxhman, që për gjithë përgjigjen në marsin e 1991 nga ana e tij u takua me Millosheviçin për të nisur ndarjen e Bosnjes midis Zagrebit dhe Beogradit. Për këtë qëllim u krijua një komision i përzier, që vazhdoi të punojë për muaj me radhë, edhe pasi që serbët e kroatët, në vijim të shkëputjes së këtyre të fundit, kishin filluar të luftonin. Qysh nga fillimi u shfaq qartë se shpërbërja e Jugosllavisë do të shkaktonte një ripërkufizim të kufijve midis republikave. Millosheviçi shpresonte t’i impononte në avantazhin e tij, por hasi në kundërshtimin jo vetëm të Sllovenisë e të Kroacisë, por edhe të Bosnjës e të Maqedonisë.

Çfarë roli pati ushtria federale jugosllave?

STEFANO BIANCHINI – Gjeneralët mendonin të shpëtonin sistemin socialist, gjë që Millosheviçit nuk i interesonte, me një grusht shteti, ama kërkonin mbulimin e presidencës federale (e përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha republikave dhe krahinave autonome), gjë që nuk e arritën. Kështu që në verën e 1991 ushtarakët kërkuan më kot për pak ditë ta pengonin pavarësinë sllovene, e cila Millosheviçit nuk i interesonte, ndërsa më pas shpërtheu dhuna në zonat e Kroacisë me prani të fuqishme serbe, me praktikimin e spastrimit etnik që çoi në ndarjen e pakthyeshme të vendit. Presidenti serb nuk donte ta pushtonte Zagrebin, por vetëm t’i zhvaste Kroacisë disa territore.

JOŽE PIRJEVEC – E njoh mirë Kuçanin dhe politikën e tij në fillimvitet Nëntëdhjetë. E përjashtoj që ishte i gatshëm ta pranonte propozimin e shkëmbimit të bërë nga Millosheviçi. Megjithatë është e vërtetë se në Jugosllavi serbët qenë shpërndarë herët në Bosnje dhe Kroaci, gjë që ushqente ndjenjat nacionaliste de vullnetin e ndrydhur për t’u bashkuar në një entitet të vetëm shtetëror. Për një kohë të gjatë sllovenët kishin menduar rreth një zgjidhjeje konfederale sipas modelit zviceran, me autonomi shumë të mëdha për republikat. Vetëm kur u bë e qartë se me Millosheviçin nuk mund të dialogohej, zgjodhën emancipimin, të garantuar nga të gjitha kushtetutat jugosllave nga viti 1946 e këtej. Për sa i përket ushtrisë federale jugosllave, e hegjemonizuar nga serbët, asaj i mungoi edhe mbulimi ndërkombëtar. Gjeneralët u kërkuan ndihmë ushtarakëve sovjetikë në fillimin e 1991, por nuk e arritën, ndërsa Shtetet e Bashkuara e sqaruan qysh në vitin 1989 se nuk do të ndërhynin në hapësirën jugosllave.

Më pas Uashingtoni ndryshoi pozicion?

STEFANO BIANCHINI – Qe vendimtar kalimi i Shtëpisë së Bardhë nga George Bush baba tek Bill Clinton në vitin 1993. Më parë Shtetet e Bashkuara në Ballkan kishin qenë mjaft të matur. Qe Clinton ai që promovoi mirëkuptimin e parë në Bosnje midis kroatëve e myslimanëve, me të cilin u krijua federata e tyre në 51% të territorit, dhe më pas Marrëveshja e Dejtonit e nëntorit 1995, që sanksionoi përfundimin e luftës dhe ndarjen e Bosnjës midis vetë kësaj federate dhe Republikës Srpska, në dorën e serbëve. Më vonë Shtetet e Bashkuara, kur shpërtheu guerrilja, nën ombrellën e NATO ndërhynë në Kosovë për të mbështetur rivendikimet e shumicës shqiptare që luftonte kundër represionit serb. Në thelb amerikanët kanë qenë të vendimtarë në vendosjen e një armëpushimi, por janë demonstruar të paaftë që të ofronin zgjidhje të kënaqshme ndaj problemeve të qeverisjes së shteteve suksesore. Ndoshta do të mund ta kishte bërë Bashkimi Europian, sikur të mos ishte i zënë me problemet e brendshme të tij.

JOŽE PIRJEVEC – Fillimisht Shtetet e Bashkuara qenë në favor të ruajtjes së Jugosllavisë. I frikësoheshin një efekti domino, domethënë që shkëputjet ballkanike do të shkaktonin të tjera në Bashkimin Sovjetik, ku disa republika sovjetike kishin armë atomike të vendosura në territoret e tyre. Gjatë vizitës së tij në Beograd më 21 qershor 1991 Sekretari amerikan i Shtetit James Baker kërkoi të bindë Slloveninë e Kroacinë që të mos shkëputeshin nga Jugosllavia dhe Uashingtoni ua njohu pavarësinë me shumë vonesë. Në fillim vetë Clinton u tregua i matur.

Si shpjegohet kthesa amerikane?

JOŽE PIRJEVEC – Arsye të politikës së brendshme. Republikanët në Shtetet e Bashkuara shikonin me simpati nga myslimanët dhe kroatët: I akuzuar për inerci përballë masakrave, Clinton vendosi ta mbështesë qeverinë e Zagrebit dhe forcat islamike boshnjake. Në vitin 1995, e ristrukturuar nga këshilltarët amerikanë, ushtria kroate e mori me forcë kontrollin e rajoneve me prani të konsiderueshme serbe. Edhe myslimanët boshnjakë, të mbështetur nga inkursione ajrore të NATO, fituan terren. U arrit kështu në Marrëveshjen e Dejtonit e nëntorit 1995 dhe Clinton mundi të njoftonte se e kishte zgjidhur krizën boshnjake, duke i anashkaluar republikanët dhe kandidatin e tyre për Shtëpinë e Bardhë, Bob Dole. E njëjta gjë ndodhi në Kosovë në vitin 1999, kur amerikanët vendosën të mbështesnin indipendentizmin shqiptar dhe e goditën beogradin pa dritën jeshile e Këshillit të Sigurimit e Kombeve të Bashkuara, me një përdorim “out of area” të forcave ajrore të NATO, duke shkelur traktatin krijues e Aleancës që parashikon aksione ushtarake ekskluzivisht në mbrojtje të vendeve anëtare të saj. Por kështu i kanë zgjidhur problemet vetëm në letër, pasi shkaqet e krizës nuk janë tejkaluar.

Duket se Perëndimi e ka nënvlerësuar qysh nga fillimi rastin jugosllav.

STEFANO BIANCHINI – Që çke me të. Në korrikun e 1990 mora pjesë në një takim në Londër lidhur me të ardhmen e Lindjes europiane. Në sesionin për Ballkanin, dëgjova se Sllovenia e Kroacia, ku qenë mbajtur zgjedhje shumëpartiake, shpejt do të shkëputeshin nga Beogradi dhe se çështja e Bosnjës do të zgjidhej me një shkëmbim popullsishë. Kundërshtova se një proces i kësaj natyre nuk mund të ndodhte paqësisht, se do të ndodhte një masakër. Mu përgjigjën se do të mjaftonte të mobilizohej një divizion i NATO për të siguruar qetësinë. Nuk e kuptonin natyrën e problemeve, sidomos situatën në Bosnje. Në kongresin e fundit e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (partia e vetme jugosllave) delegatët boshnjakë kishin propozuar të shkëputeshin nga Millosheviçi, ama për të ndërtuar një parti socialiste të re multietnike jugosllave, duke shmangur shkëputjen e sllovenëve mbi bazë kombëtare, e cila në fakt edhe ndodhi dhe e mbyti Lidhjen. Në Bosnje shumë shpresuan deri në fund që ta shmangnin shpërbërjen e Jugosllavisë, pasi e kuptonin se toka e tyre do të ishte viktima sakrifikuese e nacionalizmave. Ishte e qartë që do të përfundonte në gjak. Në vjeshtën e 1990 u takova me Radovan Karaxhiçin, liderin e serbëve të Bosnjës, dhe për 1 orë më përsëriti papushim se në rast se myslimanët dhe kroatët nuk do t’i pranonin pretendimet e tij, atëherë do të shpërthente lufta.

JOŽE PIRJEVEC – Qysh nga lufta partizane, Tito kishte këmbëngulur mbi vëllazërimin midis kombësive, por diferencat etnike, gjuhësore dhe fetare qenë të vështira për t’u tejkaluar. Në fund të jetës së tij vetë ai e pranoi se kishte qenë tejet optimist. Bosnja është një rast unik në Europë. Banorët e saj janë të gjithë të degës sllave dhe praktikisht flasin të njëjtën gjuhë, por ndahen nga besimi fetar midis myslimanëve, katolikëve kroatë dhe ortodoksëve serbe. Nën Titon u kërkua të tejkaloheshin barrierat me përparime të konsiderueshme, për shembull në emancipimin femëror midis islamikëve. Unë e frekuentoja Sarajevën dhe kisha përshtypjen e një qyteti të gjallë, me një bashkëjetesë harmonike midis feve. Fatkeqësisht, gabohesha. Kur kanë shpërthyer nacionalizmat dhe ka filluar të mungojë presioni nga ana e partisë, kundërvëniet janë shfaqur në mënyrë tragjike dhe sot Bosnja mbetet një vend i ndarë.

STEFANO BIANCHINI – Situata është e dëshpëruar, pa perspektiva, aq është e vërtetë, sa që kush mundet ja mbath nga Bosnja. Ka përgjegjësi të rënda ndërkombëtare, por edhe vendore. Klasa drejtuese e përdor nacionalizmin për të ruajtur kontrollin e të fuqishmëve të vegjël në një logjikë miope dhe popullsia, pas zhgënjimesh të përsëritura, e ka humbur shpresën dhe forcën për të reaguar, pasi ndjehet e shantazhuar nga mbështetësit status quo. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, subjekti i vetëm që mund të bëjë diçka, mungon, i zhgënjyer nga rezultatet e zgjerimit në Lindje, i përçarë brenda vetes, i privuar nga një lidership i duhur. Në disa aspekte ngjan me Jugosllavinë e viteve Tetëdhjetë. Edhe pse për fat nuk ka ndonjë Millosheviç që t’i fryjë zjarrit. Përveç Sllovenisë e Kroacisë, të gjitha republikave të tjera ish jugosllave ju është premtuar se do të futen në Bashkimin Europian, por jemi ende shumë larg.

Dikush projekton modifikime të tjera kufijsh dhe shkëmbime popullsishë?

STEFANO BIANCHINI – Bëhet fjalë për një dokument të pafirmosur, i shfaqur në internet dhe i atribuuar kryeministrit slloven Janez Jansha, sovranist i djathtë i afërt me hungarezin Viktor Orbán, por që nuk e ka pranuar autorësinë. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel ka pranuar që e ka marrë dokumentin. Propozon të copëtohet Bosnja dhe Maqedonia, ku ka një komunitet të fortë shqiptarësh, duke i bashkuar pjesë Kroacisë, Serbisë dhe Shqipërisë. Por frakturat e reja nuk mund të mos çojnë në konflikte të reja ushtarake. Modifiket e kufijve janë të vështirë për t’u menaxhuar. Ka deri grindje kufitare të hapura midis Lubjanës dhe Zagrebit, pavarësisht se të dyja i përkasin Bashkimit Europian.

JOŽE PIRJEVEC – Shpresat e vitit 1991, megjithë aderimin në Bashkimin Europian e Sllovenisë dhe Kroacisë, në një pjesë të mirë janë zhgënjyer. Në Zagreb nacionalizmi kroat ka ende një peshë të madhe, me tensione në rritje. Por është më keq në Slloveni, ku opinioni publik i kundërvihet metodave autoritare të Janshas. Paradoksi është se kryeministri aktual 30 vite më parë ishte personazhi më i shquar në luftën sllovene për liri ndaj centralizmit serb dhe ushtarakëve jugosllavë. Tani është e kundërta: Jansha shikohet një aspirant për diktator që kërkon të imitojë Orbán. Besoj se është ai autori i dokumentit të ndarjes së Bosnjës dhe mendoj edhe se është frymëzuar nga lideri hungarez, i cili kërkon të përfitojë nga kaosi në Ballkan. Në Lubjanë pasojnë manifestimet antiqeveritare, me shumë pjesëmarrje për një vend kaq Të vogël, por Italia dhe Europa çinteresohen. Injorimi i tendencave antidemokratike që shfaqen në Slloveni, ashtu si në Poloni e në Hungari, më duket një gabim trashanik nga ana e Brukselit. (La Lettura)