Plotësimi i ligjeve në fjalë bëhet me qëllim vendosjen e kritereve matëse kualitative dhe kuantitative për vlerësimin e punës së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave në çdo dy vjet
Omer XHAFERI
Shkup, 19 nëntor – Ish anëtar të Gjykatës ndërkombëtare dhe asaj Kushtetuese, do të kenë të drejtë konkurrimi për anëtar të ardhshëm të Këshilli Gjyqësor të Maqedonisë. Propozim ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, parashohin intervenime në nenin 26 të ligjit në fjalë, ku përveç profesorëve universitar, avokatëve, juristëve të shquar, gjykatësve apo prokurorëve publikë, të drejtë konkurrimi të kenë edhe anëtarët e mëhershëm të Gjykatës së Strasburgut apo gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë. Njëkohësisht me këto ndryshimet, precizohet dhe definohet kriteri për “juristët e shquar”, term ky i cili gjatë viteve të kaluar është keqpërdorur në procedurën e konkurrimit, shkruan gazeta KOHA.
“Në nenin 26 pas fjalëve ‘avokatët’ shtohen fjalët ‘ish anëtar të Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës ndërkombëtare’, përderisa pas fjalëve ‘juristë të shquar’ shtohen fjalët ‘të cilët me veprimin e tyre profesional kanë kontribuar për zhvillimin e mendimin dhe sundimin e të drejtë në shtet”, thuhet në arsyetimin e Propozim Ligjit, të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.
Ndonëse lista e ish anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, të cilët pas ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor mund të konkurrojnë për anëtar të këtij Këshilli është e gjatë dhe e larmishme, ajo e anëtarëve të mëparshëm të Gjykatës së Strasburgut është e kufizuar. Përveç gjykatësit Jovo Ilievskit (baxhanaku i Sasho Mijallkovit), i cili për momentin e ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Maqedonia, si ish anëtar të kësaj gjykate, të cilët në të ardhmen ekziston mundësia reale të bëhen pjesë e Këshilli Gjyqësor, janë gjykatësit Margarita Caca Nikollovska dhe Mirjana Llazarevska.
Risi tjetër e cila parashihet të zbatohet me ndryshimin Ligjit për gjykata, është vendosja e kategorisë së re të gjykatësve, ndryshe e njohur si “gjykatësit e ri”. Në propozimin e ligjit në fjalë, thuhet se gjykatës në Gjykatën themelore me kompetenca të zgjeruar, me përvojë punë prej dy viteve, mundet të vendosë vetëm në procedura që burojnë nga neni 30 i Ligjit për gjykatës.
“Vlerësimet paraprake kanë konstatuar se periudha prej dy viteve është e mjaftueshme që ‘gjykatësit e ri’ ta arrijnë profesionalizmin e një gjykatësi, që më pas të njëjtit të kyçen në orarin e rregullt të lëndëve vijuese, konformë rekomandimeve Komisionit vlerësuese për trajnim të gjykatësve dhe prokurorëve publik”, thuhet në arsyetimin e ligjor.
Mbase Gjykata Themelore Shkupi 1, kryesisht i shqyrton dhe procedon lëndët e sferës penale, gjegjësisht Gjykata Themelore Shkupi 2, i trajtojnë kontestet pronësore juridike të njohura si lëndë civile, anëtarët e këtyre gjykatave një kohë ta gjatë kanë propozuar ndryshimin dhe konkretizimin e emrave të këtyre instancave gjyqësore. Kësisoj rekomandimet e tyre janë përfshi në Propozimin Ligjin e për gjykata, ku thuhet se Shkupi 1, pas miratimit të ndryshimeve në Parlament, do të quhet Gjykata Penale e Shkupit, ndërsa Shkupi 2, Gjykata Civile.
Ndryshe, siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, plotësimi i ligjeve në fjalë bëhet me qëllim vendosjen e kritereve matëse kualitative dhe kuantitative për vlerësimin e punës së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave në çdo dy vjet. Po, ashtu në këto ndryshimet vendoset arsyetimi ligjor, “kujdeseshim për balancim të plotë të kritereve në sistemin e vlerësimit (notimi)”, respektivisht intervenohet edhe në dispozitat për anëtarët e Këshillit me të drejtë vote, për renditjen e kandidatëve për zgjedhje të gjykatësve në gjykatat më ta larta, me përforcimin e përgjegjësisë në punën e Këshillit dhe ngjashëm. (koha.mk)