Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch u tha ligjvënësve të premten se Presidenti Donald Trump i ka bërë presion Departamentit të Shtetit për largimin e saj nga detyra. Në një deklaratë të saj të siguruar nga “Associated Press” zonja Yovanovitch shkruante se largimi i saj në muajin maj ishte “i papritur” dhe se i ishte thënë se presidenti e kishte humbur besimin tek ajo.
Ish-ambasadorja tha gjithashtu se një zyrtar i kishte thënë se kundër saj “po zhvillohej një fushatë e bashkërenduar” dhe se zoti Trump prej rreth një viti kishte bërë presion ndaj zyrtarëve për ta hequr atë. “Megjithëse e kuptoj se jam caktuar dhe hiqem nga presidenti, ishte tepër e pabesueshme që qeveria amerikane zgjedh të largojë një ambasador mbi pretendime të pabaza e të rreme nga njerëz me motive qartësisht të dyshimta”, shkruante në deklaratën e saj zonja Yovanovitch.
Zonja Yovanovitch u paraqit në Capitol Hill të premten për një seancë dëgjimore në kuadër të hetimit që po kryejnë demokratët me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit. Ajo pranoi ftesën e ligjvënësve për të dëshmuar pavarësisht deklaratës së zotit Trump se askush nga administrata e tij nuk do të bashkëpunojë me hetimin, të cilin e konsideron si antikushtetues.
Zonja Yovanovitch është ende punonjëse e Departamentit të Shtetit, por përkohësisht është studiuese në universitetin Georgetoën.
Zoti Trump tha në fillim të kësaj jave se do të bllokojë të gjithë zyrtarët që të dëshmojnë në Kongres, duke quajtur hetimin të padrejtë dhe të paligjshëm. Është e paqartë nëse shfaqja e ish-ambasadores sinjalizon një ndryshim në strategji apo nëse zonja Yovanovitch shkeli urdhrat e Shtëpisë së Bardhë me paraqitjen e saj.