Raportohet se mesfushori i RealMadridit, Iscon, se kishte refuzuar t’ia zgjaste dorën trajnerit Santiago Solarit në dhomën e zhveshjes pas disfatës ndaj Eibar. Kjo mund të jetë edhe arsye pse Solari kishte vendosur ta linte Iscon jashtë skuadrës për ndeshjen e Championsit kundër Romës, përkundër deklaratës së trajnerit që kishte thënë se ky ishte një vendim sportiv.
Ashtu siç ishte raportuar nga El Partidazo de la Cadena Cope, tani edhe është konfirmuar nga Marca, Solari ia kishte zgjatur dorën futbollistit spanjoll pas disfatës me rezultat 3-0 ndaj Eibarit, por Isco kishte refuzuar ta bënte të njëjtën gjë.
Për shkak të kësaj dhe mungesës së intensitetit të punës që Isco tregon gjatë seancave stërvitore, pritet që ai të mos zgjidhet nga Solari as për ndeshjet e radhës në formacionin e parë të Real Madridit.
Mosmarrëveshjet dhe zënkat mes këtyre të dyve tanimë janë përkeqësuar edhe më shumë, dhe është bërë edhe më e pamundur që mesfushori të largohet nga banka rezervë për ndeshjet e radhës, për t’u inkuadruar në ndeshje që nga fillimi.
Edhe pse ai startoi për Kombëtaren e Spanjës në dy ndeshjet kundër Kroacisë dhe Bosnjës, Isco vazhdimisht është lënë anash nga Solari, që na emërtimi i tij në pozitën e trajnerit të Real Madridit, pas shkarkimit të Julen Lopeteguit.
Gjatë seancës së fundit stërvitore, Isco u largua duke pretenduar se nuk po ndihej mirë, por ekzaminimet nga stafi mjekësor i klubit madrilen dëshmuan se ai nuk kishte asnjë lëndim serioz dhe mund t’i kishte vazhduar stërvitjet.
Sot Solari do ta mbajë një seancë stërvitore me të gjithë stafin e tij dhe do ta vlerësojë nëse Isco po punon me të njëjtin ritëm me bashkëlojtarët e tij, vetëm dy ditë para ndeshjes mes Real Madridit dhe Valencias.