Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk do të jetë pjesë e listës për deputet të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Ai në një intervistë në KTV tha se kontributin do ta japë mirëpo pa u kandiduar për deputet.
“Unë nuk do të hyj në listë për deputet, si herën e kaluar. Por, do ta ndihmoj zonjën Osmani që t’i fitojë zgjedhjet”, deklaroi Mustafa.
Ai ka thënë se nuk e bën këtë për të qenë korrekt me votuesit.
“Po të hyj, unë mund të marr vota, por duhet të jemi korrekt, unë vetëm do ta ndihmoj ekipin e Vjosës”, tha Isa Mustafa.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen të dielën e 6 tetorit ndërsa deri më tani janë konfirmuar që partitë e mëdha në vend do të shkojnë të vetme në garën elektorale.
Kandidati për kryeministër nga LDK do të jetë Vjosa Osmani.