Shkup, 5 shkurt – Qeveria ka treguar udhëheqësi dhe guxim me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. I dukshëm është avancimi dhe përkushtimi i vendit në shumë sfera, ndërsa është i nevojshëm vazhdim i reformave në gjyqësi, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit.
Këtë sot në konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Bujar Osmani e theksuan ministrja irlandeze e Çështjeve Evropiane, Helen Mekenti dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Samuli Virtanen, transmeton gazeta KOHA.
Ministrja irlandeze shprehu admirim për udhëheqjen dhe guximin që Qeveria e ka treguar në rajon me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës edhe atë nga pikëpamja evropiane shikojnë si në një hap shumë pozitiv, jo vetëm për vendin, por edhe për Ballkanin perëndimor dhe tërë rajonin e BE-së.
“Me këtë qartë tregohet se në rajon, madje edhe problemi më i vështirë mund të zgjidhet, kur liderët do të tregojnë guxim dhe përkushtim që të zgjidhet problemi. Irlanda është e vetëdijshme për sfidat që janë para jush, për çështjet lidhur me identitetin dhe historinë sepse ne vitin e kaluar e festuam 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së të premtes së madhe dhe në esencë i vlerësojmë përparësitë nga zgjidhja e këtyre problemeve dhe njëkohësisht edhe mënyrat në të cilat mund të jepet mbështetje për të rinjtë dhe t’u prezantohet një e ardhme më e ndritshme atyre dhe gjeneratave të ardhshme dhe mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme ta vizitojmë rajonin dhe këtë vend para se të sillet vendimi në qershor për fillim të negociatave me BE-në”, tha ajo.
Shtoi se Irlanda do të vazhdojë ta mbështesë vendin nëse i vazhdon reformat dhe tregon avancim, si deri më tani.
“Reformat mund të jenë të rënda, por jam i sigurt se është një avancim i realizueshëm dhe qytetarët këtë e mbështesin. E gjithë kjo vlen dhe anëtarësimi në BE do të transformohet për tërë ekonominë e shtetit”, theksoi Mekenti, përcjellë gazeta KOHA.
Sekretari shtetëror pranë MPJ-së së Finlandës, theksoi se në Maqedoni shihet përkushtimi i fuqishëm që ekziston në vend, dëshira të integrohet, të afrohet drejt Evropës dhe drejt BE-së.
“Finlanda nga 1 korriku do ta ndërmarrë kryesimin me BE-në dhe atëherë Maqedonia do të jetë në vend të rëndësishëm me vendin. Nga pikëpamja e Finlandës kjo është diçka që çon në drejtësi. Kur do të shohim avancim, kur do të shohim se kriteret konkrete janë realizuar, atëherë BE-ja duhet të jetë partner korrekt dhe besnik i këtij vendi dhe t’i lëviz gjërat përpara”, tha Virtanen.
“Finlanda është shembull për një vend relativisht të vogël i cili nuk gjendet në zemër të Evropës në mënyrë gjeografike, por megjithatë është vend shumë konkurrues i cili ka tërhequr shumë përfitime nga tregu i vetëm dhe nga industria eksportuese dhe shpresoj në ardhmërinë, do të shoh shumë projekte bilaterale midis Finlandës dhe Maqedonisë, bashkëpunim tregtar dhe bashkëpunim të përgjithshëm”, theksoi ai.
Osmani nga ana e tij theksoi se Irlanda dhe Finlanda çdoherë kanë qenë mbështetës të integrimit evropian të rajonit, veçanërisht të Maqedonisë, e cila megjithatë ka interes për ta forcuar edhe bashkëpunimin bilateral me dy vendet në shumë sektorë, shëndetësi, arsim, tregti.
“Forcimi i bashkëpunimit të ndërsjellë dhe këmbimi i përvojave me Finlandën është i rëndësishëm në sistemin arsimor, veçanërisht duke e pasur parasysh faktin se Finlanda me rang listën e fundit është radhitur ndër pozitat e para në botë, ndërsa Irlanda është më e mira në shfrytëzimin e IPA fondeve”, tha Osmani.
Theksoi se Maqedonisë është në fund të maratonës dhe se sivjet Këshilli i BE-së në qershor do ta sjell vendimin për t’i filluar negociatat për anëtarësim, duke shtuar se të gjitha pengesat e jashtme për këtë proces të rëndësishëm për vendin janë tejkaluar dhe se tani e kemi radhën ne sa do të dorëzojmë në pjesën e reformave dhe këtë do ta diktojë dinamika e rrugës tonë drejt BE-së. (koha.mk)