Irini Qirjako është këngëtare shumë e njohur. Ajo është një nga emrat e shquar të këngës popullore e veçanërisht asaj polifonike, një ndër këngëtaret më të suksesshme me një karrierë të gjatë prej më shumë se tre dekadash, nga zërat e artë, një artiste dhe veprimtare e shquar. Ajo vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon gjëra mbi veten
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Pas bashkëpunimit me Silva Gunbardhin, me titull “Kolazh dasme”, duket sikur ke munguar paksa nga lancimi i klipeve. Pse kjo shkëputje nga prurjet?
Arsyeja e shkëputjes nga klipet ka qenë pjesa e kohës. Bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Xhulali, i cili ka pasur një rutinë shumë të ngarkuar nga një projekt tejet i rëndësishëm, ku zgjati me muaj të tërë dhe impenjimeve të tjera si aktivitete apo koncerte, bëri që t’i mungoja lancimeve të klipeve. Shpresoj që këtë vit t’i dhuroj publikut këngë të bukura.
KOHA: Ke shumë vite në skenën e muzikës shqiptare. Kur bën një retrospektivë shikon më shumë gjëra pozitive apo pengesa gjatë rrugës?
Kam një karrierë shumë të gjatë në skenat shqiptare por dhe në skenat botërore. Si këngëtare e ansamblit shtetërorë unë kam prekur shumë skena prestigjioze të botës dhe jam shumë e lumtur për atë që kam arritur. Kam përfunduar dy albume në Paris, një album në Spanjë dhe projekti nga shtëpia diskografike Ponderosa italiane ku me datat 29 dhe 30 nëntor të vitit 2019 përfunduam me suksese dy koncerte të jashtëzakonshme në Itali. Ishte një bashkëpunim projekt bah, projekt back dhe polifonia e cila quhet ndryshe polifonia e bahut dhe polifonia laro shqiptare ku ka një vlerë botërore dhe ruhet nga UNESCO. Redi Hasa violicenist që jep koncerte në të gjithë botën dhe Eglant Hasa janë dy vëllezer, pianist shumë të talentuar dhe disa instrumentistë të tjerë italian të cilët kanë qenë në bashkëpunim në këtë projekt tepër të rëndësishëm për mua. Ky projekt ka kaluar në skenat e gjithë botës, Australi, Amerikë dhe në të gjithë Europen. Nga vitit 1991 deri ne 2011, kam qenë në bashkëpunim me një grup polifonik Tirana, kam punuar me një menaxher francez dhe kam dhënë koncerte në gjithë skenat e Europës. Erdhi edhe një moment tjetër, ku i jam shumë falënderuese Zotit, për mundësinë që më dhanë të isha përfaqësuese e artit tim në të gjithë skenat e botës. Jam shumë e lumtur dhe e kam mbushur shpirtin plot, ku artiste të tjerë nuk e kanë arritur dot këtë të gjinisë time.
KOHA: Dekada eksperiencë në skenën muzikore, e ke gjetur atë “çelësin” e famshëm të suksesit?
Çelësi i suksesit të një artisti e para është talenti, pa talent nuk bëhet gjë. E dyta puna kolosale që bënë artisti dhe sigurisht shkollimi. Shkolla të jep rrugën e duhur, të jep gjithë mënyrën profesionale të të bërit art. Një këngëtare absolutisht nuk duhet të pijë cigare, duhet të bëj ushtrime vokali gjithmonë. Artisti është si puna e hekurit në qoftë se hekurin nuk e vajos, ai ndryshket, edhe fytin në qoftë se nuk e ushtron të bëj vokalisa – zëri vyshket. Kjo është puna e madhe e artistit. Unë nga natyra jam shumë kërkuese ndaj vetes. Me fat që krahas talentit jam dhe shumë punëtore.
KOHA: Megjithëse vitet kalojnë, mbetesh një femër e bukur, e dashur, e buzëqeshur. Si ia arrin ti thuash kohës “ndal”?
(Qesh), Zeliha Sina ishte një e njohura ime në ansambël. Motrat, vëllezërit dhe prindërit e mi me Zelihan i prezantova kur shkonim në turne në Sarandën time. Profesor Agim Kraja tha: po sa racë e bukur jeni moj..(qesh), unë nuk mund të them e bukur por kam qenë simpatike. Përpiqem që veten ta mbaj maksimalisht, me kremra cilësorë dhe çdo gjë tjetër që kërkohet nga një femër pa e ekzagjeruar. Ndërhyrjet nuk i preferoj. Koleget e mia i kanë bërë por mua më pëlqen të jem më shumë natyrale. Plakja natyrale edhe kur del një rrudhë ka bukurinë e vet.
KOHA: Ka pasur apo ka një muzë arti Irini?
Po. Irini ka pasur shumë muzë arti. Unë jam frymëzuar që kur kam qenë e vogël kur dëgjoja këngët polifonike të Lefter Çipes, mahnitesha, mrekullohesha me këngë të tilla. Babi im ka pasur një vokal brilant dhe këndonte këngët polifonike dhe sidomos këngët e bregut. Me një shtrirje vokale si tenor dhe me një zë shumë melodioz përcillte shpirtin e këngës. Mesa duket unë kur këndoj dhe interpretoj i ngjaj babit tim. Muza ka qenë babi im, Vaçe Zela dhe Lefter Çipa.
KOHA: Këngët e kujt i mban mend përmendësh?
Përmendësh mbaj mend këngët e Lefter Çipes. Dhe me ato kam filluar karrierën time në ansamblin shtetërorë në 79’. Për herë të parë në ansambël kam hyrë me këngën: “këngët e atdheut tim janë ilaç janë shërim”, “do ja marrë siç merret kënga” “kënga shqiptare”, “siç më ka mësuar nëna” “kthejani o male”.. Këto janë këngë brilante. Pena e tij e artë. Lefteri nuk bënte vetëm tekste por ndërtonte dhe këngën nga ana muzikore. Gjithashtu i binte dhe firzamonikës.
KOHA: Çfarë të thotë vetja kur e sheh në klipe në ekran?
Klipet e para i kam bërë me kostume popullore si një artiste e ansamblit shtetërorë që përfaqësoja artin tim në skenat e botës. Kostumi lunxh më përshtatet mirë në trup, por ndihem shumë mirë në të. Më vonë vendosa të ndryshoj lukun, bëra klipe me të kohës, bashkëkohore dhe do vazhdoj t’i bëj. Jam këngëtare 40 vjet e këngës popullore dhe mundohem të transmetoj edhe në brezat që do vijnë dukë i frymëzuar me këtë art të bukur dhe veshjet e kostumeve popullore shqiptare. E kam një mision të tillë që të ruaj vlerat, traditat e folkut dhe të veshjeve shqiptare. Mendoj se e kam bërë në mënyrë të përkryer dhe do vazhdoj të bëj përsëri.
KOHA: Ke ndonjë koment për festivalin e RTSH-së?
Festivalin e RTSH nuk e kam ndjekur sepse nuk kam qenë në Shqipëri. Ndodhesha jashtë Shqipërisë dhe kam qenë tepër e angazhuar. Edhe sot nuk e di se kush është fituesi por do interesohem.
KOHA: Një mesazh apo urim për lexuesit…
Lexuesve i uroj sa më shumë shëndet e dashuri. Të jenë të qetë sepse të gjithë bashkë do e kalojmë edhe këtë fazë të vështirë.
KOHA: Më shpesh harroj?
Më shpesh harroj ditëlindjet..(qesh), por mi kujton kolegia ime. Gjithmonë kur vajza ka ditëlindjen, ma kujton ajo për shkak se vet e harroj.
KOHA: Më ka mbetur peng
S’kam asnjë peng në jetën time për të qenë e sinqertë.. Nëse do kisha ndonjë peng do më dilte vetvetiu.
KOHA: Numri i fundit që kam fshirë nga celulari?
Nuk fshijë asnjë numër. Nuk kam fshirë e s’do e bëj ndonjëherë. Nuk bëhem armike me njerëzit, fal vetëm dashuri e mirësi.. Është natyra ime.
KOHA: Shprehja që përdorë më shumë?
Mirë zemër.
KOHA: Nuk do t’i bëja kurrë?
Nuk fyej dhe nuk lëndoj njeri.. Ata të cilët janë munduar të më bëjnë keq unë i’a kam kthyer me të mirë dhe në fund janë miqtë e mi.
KOHA: Bisedën më të ngrohtë e kam bërë?
Biseda më e ngrohtë me vajzën time e cila ndodhet në Gjermani. Një bisedë e ngrohtë e dashur që më mbush shpirtin e gjithmonë më përkëdhel.