Marrëdhëniet me Greqinë nuk duhet të kenë “çështjen çame” në qendër të vëmendjes dhe për këtë të ketë kontestime nëse ekziston ose jo, por “çështjen shqiptare” atje, që përfshin edhe shqiptarët myslimanë (çamët) edhe ata ortodoksë (arvanitët)
Nga Daut DAUTI
Vdekja e aktores së famshme botërore Irene Papas, me vend origjine Greqinë, ishte rast i mirë që të gjitha gazetat, televizionet a portalet që e dhanë lajmin të theksojnë për çka tjetër është e rëndësishme për publikun tonë. Aktorja që jetoi për pak një shekull të plotë, ka qenë gjithandej e njohur si greke, porse të gjitha mediat në gjuhën shqipe, e cituan një deklaratë të saj të ndërgjegjësimit: “Nuk mund të largohem nga kjo botë, e të mos e them të vërtetën, se unë jam shqiptare. Kur kam lindur në vitin 1926 mbiemri im ka qenë Irene Leleku”. Këtë ajo e kishte thënë para nja gjashtë vjetësh, për të shokuar jo pak publikun grek, sepse,në Grëqi, edhe sikur të kenë ditur, gjersa nuk e ka thënë,kanë ushqyer iluzionin se një nga aktoret “e tyre” emblematike, ka qenë dhe do të mbetet greke. Andaj, sigurisht ka tingëlluar shokuese për këtë “zbulim”, ndonëse mund të ketë mbërritur “te veshët” edhe nga më herët, se Irene Papas, kishte lindur me një mbiemër që vetë tregon se nuk është greke, anise e kamufluar me mbiemrin Papas të marrë nga martesa e saj me një shkrimtar grek, që e ka mbajtur, sepse me atë mbiemër është afirmuar në fillim të karrierës së saj artistike. Në mos nga ndonjë burim tjetër, nga libri i kujtimeve të partnerit të saj në tre filma, Bekim Fehmiu.
Të GJITHPRANISHËM…
Në të vërtetë, për publikun e gjerë në Greqi, Irene Papas është vetëm një emër, nga të shumtët, të njohur ose të famshëm, në bota e artit, shkencës, letërsisë, politikës, sportit… që kanë rrënjë etnike shqiptare, qoftë të deklaruar publikisht, ose të heshtur. Krahas Irene Papasit mund të rreshtohet edhe një aktore e famshme, Melina Merkuri, e cila në fillim të viteve 90-të ishte edhe ministre e kulturës. Nga jeta politike, të deklaruar ose të njohur si shqiptarë janë edhe Karolos Papulas ose Theodors Pangallos (i cili poashtu si Irene Papas ka deklaruar përkatësinë e tij), dhe në kontekst historik, dhjetëra emra të tjerë që janë pjesë e historisë së Greqisë në periudhat e lëvizjeve të përbashkëta, gjersa gjërat nuk morën kahe “të gabuar”!
Sepse, siç shkruan autori Arben Llala, “historikisht arvanitasit kanë dhënë një kontribut të madh në të gjitha fushat e jetës politike dhe kulturore të Greqisë. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shndritshëm, që i dhanë lavdi Greqisë së Re”, sidomos në atë kryengritjen e njohur të vitit 1821. Dhe ky autor i radhit emrat që janë pjesë e pandarë e Greqisë, e që kanë qenë arvanitas: Andoni Kryeziu, ishte kryeministër që shpalli Kishën Autoqefale Greke, Dhimitër Vulgari,ishte kryeministër që bashkoi shtatë ishuj dhe mbështeti kryengritjen Kretës për t’u bashkuar me Greqinë, arvanitasi Teodoros Pangallos u zgjodh poashtu kryeministër, akademiku Aleksandër Diomidhis, u bë Kryeministër i Greqisë 1949-1950. Pastaj, Gjergj Kundrioti ishte kryetar i Greqisë në periudhën 1824-1825, kurse më pas dy herë kryeministër në vitin 1844 dhe 1848, dhe kryetar i Kuvendit të mbretërisë së Greqisë më 1856, Athanas Miauli (1815-1867), ishte kryeministër gjatë viteve 1857-1862. Personalite tjera të njohura në pozita të ndryshme janë edhe Pavlo Kundrioti (1855-1935), Diomidh QIRIAKO (1811-1869), dhe vëllai i tij Jani Qiriako, Emanuil Repili (1863-1924), një kohë ministër i jashtëm, dhe pastaj edhe kryeministër, Aleksandër Korizi (1885-1941), kryeministër, Kiço Xhveli (1801-1855), Jonani Teodor Kolokotroni (1804-1868), kryeministër i Greqisë në vitin 1862 dhe pa fund emra fushash të ndryshme.
Këta dhe shumë emra të tjerë të cilët nuk ka vend për t’i përmendur të gjithë në një shkrim si ky, nuk janë degë pa rrënjë, që do të thotë, nuk janë gjetur rastësisht në Greqi, por kanë qenë pjesë e popullatës së dendur shqiptare(arvanitase, arbëreshe) që me shekuj kanë bashkëjetuar me grekët dhe popuj të tjerë në këtë shtet, qoftë nën Perandorinë Osmane, qoftë në Greqinë e Re, siç e quajnë. Paradoksi qëndron midis së kaluarës dhe të tashmes së tyre, midis historisë ku kanë lëshuar rrënjë thellë me kontributin e tyre për ndërtimin e një shteti të pavarur, dhe me shlyerjen e tyre pas shumë politikave e ndikimeve nga më të ndryshme, që pakkush do të çonte sot zërin për të thënë se është me rrënjë shqiptare. Këtë mund ta thoshte ndonjë autoritet me dinjitet, si Irene Papas, por nga ç’kemi parë kur shkojmë në Greqi në ato vise ku jetojnë shqiptarët, siç mund të shihej edhe në emisionet dokumentare të Marin Memës, pakkush merr guximin të flasë me zë në gjuhën amtare. Si mund të ndodhë që një pjesë e familjes së Papa Kristo Negovanit që ka mbetur në Shqipëri, të deklarohet si shqiptare, e pjesa e mbetur në Greqi si grekë. Një autor, siIrakli Koçollari, sado që vetë të ketë qenë kontrovers në politikë, në studimet e tij të konstatojë se në Greqi, shqiptarë ose grekë me origjinë shqiptare të ketë 3-4 milionë!!! Këtë tezë e mbështet shumëkush duke u thirre në të vërtetën historike se shqiptarët në Greqi janë ngulitur që në shekullin 13-të (të tjerë shkojnë edhe më herët, në antikë, por kjo është një tezë që do mbështetje), dhe si rezultat i rrethanave të kohës, në fillim të shekullit 19-të, thuhet se ka pasur vetëm 30 për qind grekë! Tre-katër milionë dhe të mos figurojnë askund, natyrisht, është një paradoks, që ka një shkak – pasojë, e kjo sigurisht ka të bëjë me politikat represive prej se u themelua Greqia e Re, e deri te ndikimi i Kishës Greke ndaj ortodoksëve shqiptarë. Sepse, nëse ka arvanitas që janë heshtur dhe janë asimiluar për shkak të politikave represive, nuk është i vogël as numri i atyre që kanë krijua vetëdije të re dhe s’duan të dëgjojnë për origjinën e tyre të vërtetë, pikërisht për shkak të afërsisë fetare me grekët. Një nga shkaqet mund të jetë krijimi i kombit grek nën parimin “një komb, një gjuhë”. Disa autorë veçojnë regjimin e Jani Metaksës gjatë 1936-1941, kur midis tjerash ishte ndaluar edhe përdorimi i arbërishtes. Në dhjetëvjeçarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës Civile greke, shumë arbëreshë erdhën nën presion për të hequr dorë nga gjuha amtare.
TË MOHUAR E TË PËRJASHTUAR!
Nëse historia ka luajtur me fatin e shqiptarëve, nëse në të kaluarën ka pasur një pozitë inferiore të Shqipërisë ndaj bashkëkombësve të vet, është e udhës që kjo çështje të trajtohet në baza reciprociteti. Nuk mundet Greqia të pretendojë në varret greke në Shqipëri, të kërkojë të drejtat e minoritetit grek, të kërkojë regjistrim në baza etnike, e tërë kjo, në një vend të BE-së, të mohohet te një popullatë shqipfolëse që dikur ka qenë me miliona. Edhe sot duhej të ishin të pranishëm këta miliona, por, për fat të keq, janë vënë me shpinë për muri pas katrahurave që kanë kaluar. Në këtë kontekst, politika shqiptare nuk duhet të rrëgjojë çështjet kontestuese me Greqinë vetëm në “çështjen çame”,pra, të pronave të shqiptarëve me përkatësi myslimane, që janë dëbuar në shenjë hakmarrjeje në fund të Luftës së Dytë Botërore. Çamët janë vetëm një grusht disa mijësh, kundrejt disa milionëve arvanitasve ortodoksë. Çështja e vetëdijesimit, është një fakt i kryer ndoshta, por,në dritën e konventave ndërkombëtare që garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, Shqipëria duhet të kërkojë që Greqia të bëjë regjistrim të popullatës me deklarim të etnisë, njësoj siç Greqia ka kërkuar në Shqipëri. Ndoshta nga një regjistrim i lirë, nuk do të dalin miliona arvanitas ortodoksë, por gjithsesi, disa mijë, ose dhe qindra mijë, gjithsesi do ta merrnin guximin për t’u deklaruar çka janë në të vërtetë. Ky inferioritet i shtetit shqiptar kundrejt Greqisë, duhet përfundimisht të kalojë në politikë aktive për bashkëkombësit e vet. Në disa regjistrime në shekullin e fundit, rezultatet nuk kanë qenë si pretendojnë autorët shqiptarë, por gjithsesi, ato tregojnë prezencën. Gjatë regjistrimit të popullsisë te vitit 1928, ishin deklaruar 18.773 shtetas të vetë-identifikuar si “shqipfolës”, në vitin 1951, 22.736, por disa subjekte, ose autorë, japin shifra të tjera: Furikis (1934): llogariti 70.000 arbëreshë në Atikë, Trudgill/Tzavaras (1976/77): llogaritën 140,000 arbëreshë në Atikë dhe Beoci, kurse Sasse, në kohën më të re (1991): llogariti 50.000 shqipfolës arbëreshe në të gjithë Greqinë, ndërkaq Ethnologue, në vitin 2000: 150,000 arbëreshë, që jetojnë në 300 fshatra, kurse Bashkimi Federal i Kombeve Evropiane, 1991: 95.000 , Grupi i të Drejtave të Pakicave Ndërkombëtare në vitin 1997: 200,000 arbëreshë të Greqisë…
Sipas studiuesit dr. Bardhosh Gaçe, burimet dhe studimet historiografie tregojnë se ndaj botës dhe kulturës së arvanitasve është ushtruar një trysni dhe luftë asimiluese, dhe si e tillë, çështja arvanitase vazhdon të jetë komplekse. Një nga figurat emblematike arvanitase të kohës më të re, Aristidh Kolia, është përpjekur në studime e polemika për të treguar të vërtetën, se kush janë arvanitasit dhe çamët e sotëm, por e gjithë kjo, ka mbetur pa mbështetjen politike të shtetit shqiptar.
Prandaj, nuk duhet të vdesë dikush si Irene Papas dhe të tregojmë se në Greqi ka shqiptarë, por kjo çështje duhet të jetë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë, duke u thirre në të drejtat universale të njeriut, që e garantojnë shumë konventa ndërkombëtare. Edhe një shtet me më shumë probleme me Greqinë, si Maqedonia, arrinte këto vite të ndihmonte organizimin e maqedonasve në Greqi (por dhe në Bullgari) në organizata politike ose kulturore, arrinte të nxisë një proaktivizëm te ta, e Shqipëria askund. Por, as vetë shqiptarët, që në Greqi kanë jetuar më shumë se shtatë shekuj, e që kanë dhe merita për ndërtimin e kësaj Greqie! Është paradoks i llojit të vet fakti që në aspektin fetar, edhe shqiptarët edhe maqedonasit janë ortodoksë, por zëri i këtyre të dytëve u dëgjua dhe po dëgjohet ende,ndryshe nga ai i arvanitasve!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)