Irani rrëzoi të enjten një fluturake amerikane pa pilot, në një incident që zyrtarët iranian thanë se ka ndodhur mbi territorin e tyre, por zyrtarët amerikanë thanë se ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Sipas iranianëve, fluturakja ishte një ‘RQ-4 Global Hawk’ që u rrëzua nga Rojat Revolucionare paraushtarake në hapësirën ajrore të krahinës jugore të Hormozganit në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, njofton Zëri i Amerikës.
Një zyrtar amerikan e identifikoi fluturaken si një ‘MQ-4C Triton’ që po fluturonte mbi Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane, Bill Urban, i tha Zërit të Amerikës se “asnjë fluturake amerikane nuk po vepronte sot mbi hapësirën ajrore iraniane”.
Ai refuzoi të komentojë më shumë rreth incidentit.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se Irani u përpoq të qëllonte një fluturake amerikane javën e kaluar dhe tensionet midis dy vendeve u rritën pas sulmeve mbi cisternat e naftës në rajon, për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, i cili ndërkaq mohon t’i ketë kryer sulmet.
Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara e kanë dëmtuar ekonominë iraniane dhe Irani ka paralajmëruar shtimin e sasisë së uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur masat e SHBA.