Irani të dielën ka mbyllur vendkalimin kryesor të kufirit me rajonin kurd të Irakut verior, lidhur me tensionet mbi referendumin e paligjshëm të pavarësisë së muajit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA). “Autoritetet iraniane kanë mbyllur vendkalimin pranë provincës së Al-Sulaimaniyah,” u tha gazetarëve Ali Tawfiq, drejtor i terminalit. Ai tha se asnjë arsye nuk është cituar për masën iraniane. “Mbyllja ka ndalur lëvizjen e mallrave dhe njerëzve brenda dhe nga rajoni kurd”, shtoi Tawfiq.
Irani ka tri kalime kryesore me rajonin kurd; Haji Omaran (në Provincën Erbil), Parwezkhan dhe Bashmaq. Më 25 shtator, irakianët në zonat e mbajtura nga Qeveria Rajonale Kurde (KRG) , dhe në disa zona të kontestuara mes Bagdadit dhe Erbilit, votuan nëse do të deklarojnë pavarësinë nga Iraku apo jo. Sipas rezultateve të njoftuara nga KRG, pothuajse 93 për qind e atyre që votuan janë në favor të pavarësisë. Referendumi i paligjshëm u përball me kundërshtim të mprehtë nga shumica e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë (përfshirë SHBA-të, Turqinë dhe Iranin), të cilët kishin paralajmëruar se referendumi do të shpërqendronte luftën e vazhdueshme të Irakut kundër terrorizmit dhe do të destabilizonte më tej rajonin. Menjëherë pas referendumit të paligjshëm, Bagdadi ndaloi fluturimet ndërkombëtare nga hyrja në zonat e kontrolluara nga KRG dhe mbylli të gjitha misionet diplomatike të huaja në rajonin kurd.