Pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë, ekspertët shohin një rrezik të shtuar për sigurinë në Shqipëri. Sipas tyre, më të mundhsme janë sulmet e izoluara kibernetike apo terroriste.
Shqipëria dëboi në mesin e javës së kaluar (15.01.2020) dy diplomatë iranianë, të identifikuar nga autoritetet si Mohammad Ali Arz Peimanemati and Seyed Ahmad Hosseini Alast. Ata u dëbuan “për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi në faqen zyrtare në Facebook, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Rreth një vit më parë, në dhjetor 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për „dëmtimin e sigurisë kombëtare”.
Vendimi i Shqipërisë, u përshëndet të premten, (17.01.2020) edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit,(DASH).”Ne përgëzojmë veprimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtuquajturit diplomatë të Iranit. Regjimi Iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Europë dhe vende të tjera si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë Iranit”, theksoi zëdhënësja e DASH, Morgan Ortagus në një postim në twitter.