Ka ardhur ajo çfarë pritej! Irani ka ekzekutuar zyrtarisht personin e parë, lidhur me protestat e ashpra të zhvilluara dy muajt e fundit në Republikën Islamike, të nisura pas vdekjes së një vajze kurde 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila u dhunua barbarisht nga Policia e Moralit, për mosmbajtje të rregullt të shamisë, sipas ligjit islamik.
Në bazë të akuzës së ngritur, personi i dënuar me vdekje, kishte dhunuar një ligjvënës iranian dhe e plagosur atë.
Ndaj, mbi këtë premisë, nga autoritetet iraniane, iu dha edhe dënimi me vdekje dhe tashmë ai është ekzekutuar.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë agjencitë iraniane të lajmeve, por pa bërë të ditur identitetin e protestuesit të ekzekutuar.
Katër persona të tjerë ndërkohë, janë në radhë për të njëjtin akt nga shteti iranian, pasi janë dënuar me vdekje.
Kur, frika e një vendi të tërë, qëndron në faktin se prej mbi 15 mijë protestuesve të arrestuar, mund të ketë edhe shumë të tjerë, që t’i bashkohen këtij fati.
Protestat rrokën vëmendjen e gjithë botës, për shkak të ashpërsisë me të cilën u zhvilluan, kur përleshjet kanë lënë të vrarë, në bazë të raporteve të pavarura, mbi 470 persona.
Pjesë e të vrarëve kanë qenë edhe efektivë policorë, në numër kuptueshëm më të ulët se sa ai i protestuesve.
Ndërkaq, lajme kontradiktore vijnë nga Teherani, ku fillimisht, të dielën u deklarua se Policia e Moralit, pas protestave, ishte shkrirë si strukturë dhe nuk do të ekzistonte më.
Por, media shtetërore, u tërhoq nga ky lajm, duke lënë hapësirë për spekulime.
Zyrtarë iranianë po ashtu kanë deklaruar se shkrirja e Policisë nuk është e vërtetë dhe një vendim i tillë asnjëherë nuk është marrë.(Albanianpost)