Iran, 350 të helmuar nga uji i pijshëm i ndotur

Në provincën Huzistan të Iranit, e cila është bërë skenë e protestave për shkak të ujit, 350 persona janë helmuar nga uji i ndotur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në qarkun Ramhurmuz, Shukrullah Selmanzade në një deklaratë për agjencinë zyrtare të Iranit, IRNA, tha se uji i pijshëm i ndotur në rajonet Ramhurmuz dhe Ebulfars ka shkaktuar helmimin e 350 personave.

Ai tha se helmimi ka ndodhur pas ndërprerjes 20 orëshe të ujit në rajon, pas të cilit popullata ka përmbushur nevojën e ujit nga burimet përreth.

Të sëmurit me ankesa të diarresë dhe temperaturës së lartë janë shtruar për trajtim në qendra shëndetësore dhe spitale.

Prokurori i Ramhurmuzit, Kasim Nejad tha se dje në të njëjtin rajon janë helmuar 230 persona.

Thatësirat e shkaktuara nga mungesa e reshjeve dhe rënia e nivelit të ujit kanë shkaktuar krizë të ujit në Iran.