Bagdad – Ministria e Jashtme e Irakut ka njoftuar se ka kërkuar nga Turqia dhe Irani që “të mbyllin pikat kufitare dhe të ndalin të gjithë aktivitetet tregtare me Qeverinë rajonale kurde të Irakut”, raporton Anadolu Agency . Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga zëdhënësi i MPJ të Irakut, Ahmed Mahcub, thuhet se “Ministria e Jashtme e Irakut dy javë më parë iu ka dërguar notë zyrtare ambasadorëve të Turqisë dhe Iranit në Bagdad që të mbyllin të gjitha kufijtë me Qeverinë rajonale kurde të Irakut deri në marrjen në dorëzim nga qeveria federale.” Ndër të tjera në deklaratë theksohet se është kërkuar gjithashtu ndalimi i të gjithë aktiviteteve tregtare kryesisht shitja e naftës me Qeverinë rajonale kurde të Irakut dhe se këto aktivitete të kryhen vetëm me qeverinë e Irakut. Për realizimin e procedurave të përmendura theksohet se qeveria irakiane është në bashkëpunim me Turqinë dhe Iranin.