Nga Bardhyl KUKA
Edhe pse kaluan më se dy vjet nga vdekja e tij, ai përsëri është gjallë në kujtesën tonë. Nuk mund të ketë dibran të moshuar që nuk e ka njohur birin e Dibres se Madhe, Iqmet Krifcen-Metin. Megjithëse ka ushtruar funksione të shumta, madje edhe anëtar qeverie njerëzit atë, më së shumti, e kujtojnë si drejtorin më jetëgjatë dhe më të suksesshëm të industrisë së qilimave, apo Qilimarës, siç thotë populli dibran. Andaj, të kujtosh Metin, domosdo ke kujtuar edhe Qilimarën, dhe anasjelltas. Meti dhe Qilimara mbeten sinonime. Drejtor Iqmeti me drejtimin e Qilimares bëni bum në zhvillimin ekonomik, shoqëror, social e kulturor në vendlindjen e tij – Dibrën e Madhe. Atij, popullaritetin nuk ia dhanë funksionet që ushtroi, por, para së gjithash, puna që e ngriti lartë, ndershmëria e tij, karakteri i tij i fortë dhe fisnik, modest, human, goja e ëmbël dhe urtësia. Që në moshën e re nevojat familjare e shtynë të përballet me vështirësitë e jetës për të ndihmuar familjen. Punën e filloi në “Rasatnik”, madje në “Gipsarë” , në vitin 1960 kaloi me punë në Qilimarë, ku, për tri vitet e para ishte drejtor financiar, më vonë drejtor i përgjithshëm deri në vitin 1978. Krahas punës zyrtare vazhdonte shkollimin pa shkëputje nga puna, ia doli të diplomohej në kohë dhe me sukses ekonomikun. Sa për dijeni, Qilimara u hap në vitin 1947 si një repart i kooperativës së qilimave të dorës të fshatit Lazaropole. Në vitet 50-60 në të gjallëronin repartet për qilima dore të prodhuara në vek apo avëlmend dhe për riza e shamia. Në vitin 1962 filloi prodhimi i qilimave të makinës “Bukle” dhe “Velvet”, por, fillimisht me dimensione rrugicash dhe qilimash të vegjël. Meti, kurrë nuk thoshte “unë bëra këtë apo atë punë”, por gjithmonë shprehej “ne, të Qilimarës e bëmë. Andaj, edhe ne me këto pak fjalë përkujtimi do të përpiqemi që edhe pas vdekjes Metit t’ia respektojmë modestinë e tij. Qilimara në vitet në vazhdim u zgjerua edhe me dy reparte të rinj atë të tjerrtorës dhe ngjyrosjes. Në 1965, këto reparte u shtuan dhe u pajisën me makina më modern, që prodhonin qilima me përmasa më të mëdha, ashtu siç e kërkonte tregu. Me makinat e blera nga importi, Qilimara rriti asortimentet, duke prodhuar qilima të llojit “Aks-mister” që, në atë kohë, ishte prodhuesi i parë dhe i vetëm në ish Jugosllavi madje edhe në Ballkan. Hapërimi i Qilimarës kah më e mira vazhdonte me ritëm të pandalshëm. Nomenklaturës së prodhimeve të qilimave të dorës, “Velvet” dhe “Bukle” , tashmë, ju shtua edhe prodhimi i qilamave “Friz”, “Tebriz”, “Supertrebriz” dhe “Nodison”. Punohej në tre turne. Makinat pushonin vetëm gjatë ditëve të festave. Me këto suksese, Qilimara u ngrit në një rang kombinati qilimash, të cilët pushtonin tregjet e botës, u ngrit në një fabrikë që për vitet, nën drejtimin e Metit, kurrë nuk diti përmbyllet viti me bilanc negativ. Jo vetëm Meti, por të punësuarit dhe mbarë familjarët dibranë i gëzoheshin këtij rezultati. Meti bashkëjetonte me hallet e të vuajturve. Donte çdo njërin t’a ndihmonte. Përveç që punoi me përkushtim për Qilimarën, ai kujdes të veçantë u kushtoi edhe shkollimit të kuadrove. Qilimarën e gjeti me 200 punëtorë krahu, pa asnjë kuadër me shkollim të lartë, ndërsa pas 17 vitesh e la me mbi 700 punëtorë, ndër të cilët ishin 35 kuadro me shkollim të lartë, universitar në fusha të ndryshme. Numri i kuadrove me shkollim të mesëm kaloi trefishin. Këta kuadro janë fryt i një program për zhvillim nga viti 63 dhe në vazhdim. Vazhdimisht favorizonte kuadrot vendase. Bursistët e Qilimarës ishin të gjithë bijtë e bijat të punëtorëve të saj. Pra, shkollimi i kuadrove ishte një nga synimet kryesore të tij. Kur shihte frytet e këtij kombinati, atij i bëhej zemra mal. Edhe në ditët e pleqërisë fliste me kënaqësi të veçantë për shkollimin që u dha dibranëve.
Dera e Qilimarës gjithmonë ishte e hapur për të punësuar (pa konkurrencë) hallexhinjtë. Kur ndonjë grua mbetej pa burrë, pa asnjë mbështetje ekonomike, fëmijët jetim, në çdo kohë, ato derën e Qilimiras e kishin të hapur. Veshte rrobat e punës dhe me djersë të ballit, jetimëve u siguronte bukën e gojës, pa qenë nevoja të zgjaste dorën e lëmoshës. Këtë rregull të pashkruar Meti e zbatonte pa përjashtim edhe ndaj grave bashkëshortët e të cilëve, për çdo qoftë motivi, burgoseshin. Më se gjysma e familjeve dibrane, por edhe të fshatrave përreth, bukën e gojës e siguronin nga Qilimara. Hapi kuzhinën e punëtorëve, ku sidomos fshatarët hanin drekën. Nga shpirti fisnik që kishte, ndër të parët e ndërmarrjeve e të Dibrës, krijoi arkën e përbashkët për ndihma. Nga një përqindje simbolike e rrogës të të punësuarve krijoi fondin e ndihmave. Çdo punëtor që i binte mbi kokë ndonjë hall (dasmë, mort, sëmundje me kohëzgjatje, ndërtim apo rinovim shtëpish, sigurim të druve të dimrit etj.), arkën e përbashkët e kishte “derë babe”. Kjo arkë është një “minibankë” – thoshte Meti. Ideja e Metit për ndërtimin e një banese banimi në Dibër me mjete financiare të vetë fabrikës gjetën strehim 15 familje të punëtorëve të saj. Ishte shembulli që ai deshi t’i mbajë kuadrot, por jo si H.C.Shpile që ndërtonte banesa në Shkup e Dibër për punëtorët e saj pa pikën e djersës duke e shfrytëzuar Udovën, që ua morën dibranëve. Të shumta janë zërat e të gjithë të punësuarve hallexhinj si vejushat, ish te burgosurit, ish bursistët, që Metin e urojnë nga thellësia e shpirtit dhe lëshojnë një bekim: “Metit shpirti i shkoftë në parajsë”. Qilimara “lindi” edhe Shoqatën Kulturore Artistike “Liman Kaba”, e cila luajti rol për emancipimin e femrës dibrane në përgjithësi e asaj shqiptare në veçanti. Femrat e para dibrane që, aso kohe sapo kishin flakur ferexhenë, nisën rrugën e emancipimit. Ndaj, përbërja e të punësuarve ishte mbi 70% femra. Meti u zgjodh edhe Kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Liman Kaba” të cilën e udhëhoqi në shumë aktivitete, ku u paraqitën si në vend ashtu edhe në Shqipëri e Kosovë. Nga Qilimara, anëtarë të kësaj shoqërie ishin fizarmonisti Eshtref Cutra, këngëtari Sulejman Borova, Violeta Turkeshi, klarinetisti Sabri Meçe etj. Pjesëmarrësit në aktivitetet e shoqërisë gjithmonë kishin mbështetjen e drejtorit dhe kryetarit Meti. Asokohe të viheshe në ballë të një shoqërie këngësh e vallesh shqiptare, kur hegjemonizmi dhe ultranacionalizmi pansllavist për moto të politikës ditore kishte luftën kundër armikut të shpifur, nacionalizmin, irredentizmin dhe separatizmin shqiptar. Vërtet ka qenë guxim patriotik por edhe i vetëdijshëm se do të jesh vazhdimisht nën përgjim dhe ne vëzhgim të UDB-së. Në aso rrethanash rreziku për të rënë në ndje-kje penale deri në burgim për delikt verbal ka qenë më se i pranishëm dhe i mundshëm. Megjithatë, Meti doli faqebardhë dhe me sukses.
Dashuria ndaj Dibrës Metit nuk iu shua kurrë. Ai, edhe pas largimit në Shkup, vazhdonte të jetonte me hallet dibrane. Duke patur funksionet e larta si në Odën Ekonomike të Maqedonisë e madje edhe si anëtar i Këshillit Ekzekutiv Republikan (sot Qeveria) vazhdimisht me përkushtim kontribuonte për zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve të Dibrës. Kështu, duhet ti jemi mirënjohës për kontributin që ka dhënë për investimet në fabrikën e përpunimit të dyerve dhe dritareve “Depllast”, për investimet e Gipsarës, përmes shfrytëzimit të mjeteve të ashtuquajtura “Bashkim i punës dhe mjeteve” për më shumë kredi të “Shpile-transit” për të blerë kamionë, për kredi të ndërmarrjes së bukëve “Kllas”, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Meti ka kontribut të veçantë për marrjen e statusit të mëvetësisë së H.C.”Spile” – Dibër nga Hidrocentrali “Glloboçica”. Ndërmarrja tregtare “8-Shtatori”, falë angazhimit të tij shpejt fitoi të drejtën e tregtimit ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë. Ai nuk është kursyer të ndih-mojë edhe për ndërtimet në Dibër, siç janë ujësjellësi nga Rosoku dhe ndërtimi i Shtëpisë së Mallrave “Merkur”. Andaj, ai prore e meriton nderimin e dibranëve. Por, nuk duhet ta harroj një moment, edhe pse shpesh herë bisedonim për rrjedhat e Qilimarës, që kur ajo filloi “të lindë” e gjer kur një dorë e zezë e shiti tek “Knauf” i Austrisë, e rrënoi dhe e pruri në nivelin zero. Kur kalonte aty pranë ai e kthente kokën nga ndërtesa e komunës qe rri si një nuse përballë disa pemëve të nivelit zero te ish parku i Qilimarës.
Për t’i dhënë edhe pak lëng këtij shkrimi unë takova në Dibër edhe tre drejtorët që e pasuan Iqmetin. Të treve u shtrova të njëjtën pyetje: Përshtypjet për punën e Iqmet Krifcës në Dibër dhe për Dibrën. Fillimisht fillova nga mosha. Magjister Muhamed Kaba, ndër të tjera shprehet: “Ndjehem fort i respektuar që kam nderin e më jepet mundësia të them fjalë mirënjohje për kolegun, bashkëqytetarin e veçanërisht bashkëpunëtorin t’ im të ndjerin Iqmet Krifca. Një dekadë të tërë kam punuar me të në zhvillimin, rritjen dhe afirmimin e fabrikës së qilimave në Dibër ku shumë familje dibrane siguruan me punë të ndershme ekzistencën e tyre esenciale. Femrat u emancipuan më shumë se sa në shumë qytete të tjera, ku jetonin shqiptarët. Iqmet Krifca, punëtor i palodhshëm, çdo veprim e bënte me dashuri të sinqertë për Qilimarën”. Mr. Kaba shkon edhe më tutje:” Në kujtimet e mia, Iqmet Krifca, Abdul Vojnika, Sado Hame, Shaban Qemali disa të tjerë janë një kaptinë e veçantë për zhvillimin e Dibrës. I pa harruar qoftë kujtimi për Metin”. Ramazan Pahumi: “Me Iqmetin-Metin kemi kaluar së bashku më shumë se 40 vite ai me virtytet e tija dallohej si njeri i urtë, punëtor dhe ambicioz. Në moshë të re u rrit pa babë dhe ai interesohej për mbarëvajtjen e familjes duke punuar punë të ndryshme, por edhe duke u shkolluar. Mbaroi fakultetin ekonomik dhe magjistroi në këtë lëmi. Me plotkuptimin e fjalës ai ishte edhe krijues i fabrikës së qilimave në Dibër, të cilën nga 200 të punësuar e zgjeroi në 600. Me përpjekje të mëdha bëri katër investime për prodhimin e perit prej fazës së ngjyrosjes, prodhimin e qilimave klasik dhe në fund edhe prodhimin e qilimave “Tafting”. E zgjeroi objektin duke arritur ne 11 mijë metër katror. I deshi shumë kuadrot e reja dhe u mundësoi që të shkollohen dhe të specializohen për punë profesionale te tekstilit. Përveç qe ishte në organet më të larta të institucioneve ekonomike ai u zgjodh edhe deputet republikan. Si ekonomist dhe ekspert i dalluar, pas vitit 1978, punësohet nënkryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë. Nga viti 1992 punon përfaqësues i kësaj ode në Shqipëri e më vonë përfaqësues per Shqipëri i ndërmarrjes për Import Eksport “Tehnometal”- Shkup. Në çdo investim për Dibrën ai u angazhua qe nga fondet republikane të ndahen mjete për këtë qytet, pra Dibrën. Ishte i përpiktë në planifikimin e kohës si në pune ashtu edhe në jetën e përditshme”-shprehet me shumë respekt kolegu, shoku dhe miku i ngushtë.
Ndërsa, Ramazan Ballanca, që e pasoi Pahumin, thotë:”Iqmet Krifca ishte për mua një mësues ë palodhur. Më ka ndihmuar në ç’do aspekt. Pa ndihmën e tij, me sinqeritetin më të madh, them se nuk do të mund ta udhëheqja dhe zgjeroja Qilimarën. Për ç’do iniciativë konsultohesha dhe më jepte sugjerime dhe këshilla, të cilat asnjëherë nuk më kanë zhgënjyer. Kur, në mandatin tim u ndërtua reparti i fjollave punonin afër 300 punëtore. Hapëm edhe shitoret, jo vetëm në disa qytete të Maqedonisë, por edhe në Kosovë. Gjithmonë kur vinte në Dibër e vizitonte dhe më këshillonte. I jam borxh këtij kuadri që kontribuoi në mandatin tim të punësohen gjer në një mijë e 36 punëtorë”. Meti vdiq në Shkup, ndërsa u varros në varrezat e Dibrës së Madhe më 17 Nëntor 2011. Në varrim morën pjesë shumë shokë, miq dhe të afërm nga Dibra, Shkupi dhe shumë qytete nga Maqedonia,Kosova dhe Shqipëria. Kortezhi ishte aq i gjatë sa kishte me qindra e qindra përcjellës. Ai nuk la çifligje, as vila, por la një fa-milje të shëndoshë, bashkëshorten, Shqipen, arsimtare e nderuar, fëmijët, Ismailin (Malin), poliglot e përkthyes, Dritanin, biznesmen që ka depërtuar edhe jashtë kufijve të Maqedonisë dhe bijën, Mirlindën – profesoreshë universitare për gjuhë dhe letërsi. Meti e Meriton ti shkruhet një monografi, ashtu siç e meriton edhe Qilimara, e cila është një histori në vete për Dibrën. Mbase, ajo monografi mund të jetë një e përbashkët e dy sinonimeve, Meti-Qilimara apo Qilimara -Meti.