Shkup, 12 qershor – Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së të cilët morën pjesë në Takimin e sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Iniciativës Qendrore Evropiane (IQE) në Tërst, porositën se është kruciale sjellja e vendimit për fillimin e negociatave të vendit tonë me BE-në, pa shtyrje.
Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në fjalimin e tij nënvizoi se për herë të parë në historinë e tij, shteti ynë nuk ka probleme me asnjë fqinj, pwrcjellw KOHA.
“Dallime do të ekzistojnë, por më lehtë tejkalohen nëse marrëdhëniet me fqinjët janë miqësore. Pikërisht këtë ne e bëmë, u bëmë partnerë dhe miq me të gjithë fqinjët tanë. Problemi i një vendi, paraqet problem për të gjithë në rajon. Gjithashtu, progresi dhe lajmet e mira e atij vendi, transmetohen edhe te të tjerët. Vizioni ynë për bashkëpunim rajonal është kjo e dyta – të gjithë të ndihmojnë ku ka problem, por edhe të gjithë ta mbështesin shembullin e mirë”, theksoi Dimitrovi.
Në kontest të efekteve pozitive nga politika dhe bashkëpunimi i mirë fqinjësor, ai i theksoi edhe sfidat të cilat mund të tejkalohen, siç përmendi, vetëm me përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim të vazhdueshëm dhe besim.
Ministri Dimitrov foli edhe për nevojën për bashkëpunim më të afërt të IQE me BE-në, në kuadër të frymës së vlerave evropiane. Sipas tij, vizioni i vetëm i qëndrueshëm për Ballkan stabil është -bashkëpunimi më i ngushtë evropian, tregti më e madhe dhe vullnet për zgjidhjen e problemeve.
Duke e përshëndetur angazhimin dhe përkushtimin e fuqishëm të Italisë gjatë gjysmës së parë të kryesimit me IQE, Dimitrovi e theksoi rëndësinë dhe rolin e QEI-së në 30 vitet e kaluara, si në drejtim të stabilizimit të rajonit, ashtu edhe për çështjet në lidhje me sigurinë e tij dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në fund të Takimit ishte miratuar Deklarata e Tërstit me të cilën u konfirmua rëndësia e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. U theksua rëndësia e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, për të gjithë rajonin.
Ministri Dimitrov në margjinat e Takimit, realizoi takime me kolegët e tij nga Kroacia, zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin Pejçinoviq-Buriq, nga Sllovenia, Cerar, dhe nga Mali i Zi, Darmanoviq. Në takimet ishte konfirmuar mbështetja e pa rezervë nga tri vendet e afërta dhe mike, si dhe angazhimi i tyre për marrjen e vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
IQE-në e përbëjnë 17 shtete nga Evropa qendrore dhe juglindore, ndërsa qëllimi i tyre, si platformë ndërqeveritare për konsultime në nivel të lartë, është që ta mbështesë integrimin evropian të vendeve anëtare dhe bashkëpunimi rajonal si në mes vendeve, ashtu edhe në kuadër të IQE-së me BE-në. Në takimin ministror të këtij viti në Tërst ishte konfirmuar se Mali i Zi do të jetë kryesuesi i ardhshëm me IQE-në në vitin 2020. (koha.mk)