Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, ditë më parë, kërkuan përjashtimin nga puna të arsimtares së matematikës Fatmire Bujupit, vetëm pse kjo e fundit bartë shami. Kjo ngjarje ka hapur debat nëse kjo e fundit ka apo nuk ka të drejtë të japë mësim me shami. Këtë ngjarje e ka komentuar edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e fillimit të konferencës shkencore Revista “Dituri Islame”, që po organizohet nga Bashkësia Islame e Kosovës.Dodë Gjergji duke folur për tolerancën fetare para të pranishmëve, ku ishte edhe kryeministri Isa Mustafa, komentoi rastin e fundit të mësueses nga Malisheva, Fatmire Bujupi, raporton Ekonomia Online. Ai tha se ndjehet tejet i zemëruar që ka ndodhur ky rast, duke mbrojtur mësuesen me shami në të drejtën për të shprehur besimin e saj edhe para nxënësve.“Unë do të isha shumë i zemëruar nëse një mësuesi apo një mësueseje të besimit katolik do t’i kërkohej që ta heqë kryqin për t’u bërë mësimdhënëse. Shpreh zemërimin tim si shqiptar që një motrës sime i mohohet e drejta të jetë mësuese, vetëm pse bartë shami”, deklaroi Gjergji.