Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 mars – Planet e papërgatitura të detajuara urbanistike të komunave, çështjet e pazgjidhura pronësore-juridike , procedurat e papërfunduara të trashëgimisë, qasja e pamjaftueshme ndaj kapitalit fillestar, dokumentacioni voluminoz për aplikim, periudha e gjatë dhe e paqartë prej dorëzimit të projekteve deri tek miratimi i tyre, janë pengesat kryesore që pamundësojnë fermerët në Maqedoni të shfrytëzojnë më shumë të hollat e fondeve evropiane bujqësore IPARD. Në këto përfundime ka ardhur hulumtimi i Federatës së Fermerëve të Maqedonisë me titull “Si deri tek shfrytëzimi më i suksesshëm i IPARD 2”, shkruan gazeta KOHA.
Nga ky hulumtim del se bujqit insistojnë që kërkesat për legalizim duhet të kenë prioritet, kur bëhet fjalë për shfrytëzimin e fondeve evropiane.
“Një pjesë e komunave akoma nuk i kanë të gatshme planet e detajuara urbanistike, si dhe janë të kufizuara me resurset për lëshimin e dokumenteve. Ne sugjerojmë që komunat deri në fund të vitit 2018, të përgatisin plane të tilla për shkak se ato janë kusht për lëshimin e lejeve për ndërtim”, thotë Biljana Petrovska nga Federata e Fermerëve.
Analiza më tej i sugjeron administratës që më shpesh të dalë nga zyrat e saja në orët e mbrëmjes nëpër fshatra , në kohën kur bujqit kanë më shumë kohë me qëllim që të sqarojë kushtet e nevojshme për të aplikuar për fondet bujqësore evropiane. Gjithashtu kërkohet rritja e kofinancimit për gratë fermere me qëllim që të rritet shfrytëzimi i mjeteve, kurse sugjerohet edhe thjeshtësimi i procedurave për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm. Një pjesë e tyre nevojitet që sipas detyrës zyrtare ti sigurojë Agjencia Pagesore apo Agjencia për përkrahje financiare në Bujqësi .
Edhe kompetentët nga Agjencia Pagesore thonë se nuk mund të jemi të kënaqur me shfrytëzimin e mjeteve të IPARD 1 ku nga mbi 3000 kërkesa në 12 thirrje janë paguar vetëm 1000 kontrata apo afër 16 milion euro. “Dobësitë e konstatuara duhet të ndihmojnë që mos përsëriten gabimet në programin e dytë apo IPARD 2 ku tani mund të shfrytëzohen 80 milion euro për të cilat ekziston interesim i madh”, thotë drejtori i Agjencisë Pagesore, Nikollçe Babovski.
Maqedonia nga IPARD 2, deri në vitin 2023 mund të shfrytëzojë 80 milionë euro prej të cilave 60 milionë euro janë me kofinancim evropian dhe 20 milion euro janë përkrahje qeveritare me të çilat bujqësia vendore në vitet e ardhshme duhet të përmirësojë cilësinë e prodhimtarisë si dhe ti afrohet standardeve të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, mjetet e IPARD-it synojnë ndër të tjerash rritjen e cilësisë së prodhimtarisë bujqësore dhe konkurrencës së saj në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, përmirësimin e cilësisë së jetës në mjediset rurale, hapjen e vendeve të reja të punës dhe projekte të tjera.
Në vitet e kaluara si probleme në shfrytëzimin më të madh të të hollave evropiane për bujqësi ishin edhe frika e fermerëve nga marrja e kredive, mungesa e ideve të reja për investime në bujqësi dhe blegtori dhe nënvlerësimi i vlerës së hipotekës në viset rurale për fitimin e kredisë.
Mjetet mund të shfrytëzohen për pesë masa kryesore, si modernizimi i ekonomive bujqësore, modernizimi dhe ndërtimi i kapaciteteve prodhuese, infrastrukturë rurale, diverzifikim ekonomik të mjediseve rurale apo hapje të bizneseve në fshatra dhe ndihmë teknike. Në vitet e kaluara nga Ministria e Bujqësisë, kishin përgatitur edhe projekte falas për ndërtimin e fermave dhe të mbjellave të ndryshme.
Pra, fermerët nëse nuk kanë ndonjë ide të re që vetë të përgatisin projektet, mund të shfrytëzojnë projekte të gatshme në komunat e tyre. Ato mund t’i fitojnë falas në njësitë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë. Bëhet fjalë për 27 projekte tipike për ndërtimin e fermave të kafshëve, ndërtimin e kapaciteteve për kultivimin e hardhive dhe pemëve, si dhe ndërtimin e staneve dhe siloseve. Krahas projekteve falas, bujqit në disponim kanë edhe Fondin Garantues. Me të hollat e fondit mbulohen gjysmat e hipotekës për kredinë që do ta marrin prej bankës. Njëherazi shteti mbulon edhe 50 për qind të kamatës për kreditë që merren për realizimin e projekteve IPARD. (koha.mk)