Vetëm gratë fermere që kanë deri në 40 vjet, kanë fëmijë dhe jetojnë në vendbanime që kanë deri në 200 banorë dhe në lartësi mbidetare më të lartë se 700 metra, mund të aplikojnë për një pjesë të mjeteve të programit kombëtar për zhvillim rural, ndërsa gratë fermere të tjera nuk kanë të drejtë të tillë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 dhjetor – Gratë në Maqedoni , jo vetëm që në praktikë diskriminohen me pagat më të ulëta në raport me meshkujt në degë të ndryshme ekonomike, pozita më të ulëta në totalin e menaxherëve në shtet, por nuk janë të barabarta edhe në bujqësi dhe blegtori, shkruan gazeta KOHA. Vetëm gratë fermere që kanë deri në 40 vjet, kanë fëmijë dhe jetojnë në vendbanime që kanë deri në 200 banorë dhe në lartësi mbidetare më të lartë se 700 metra mund të aplikojnë për një pjesë të mjeteve të Programit kombëtar për zhvillim rural, ndërsa gratë fermere të tjera nuk kanë të drejtë të tillë.
Me fjalë të tjera, një pjesë e madhe e grave që merren me bujqësi nuk mund të aplikojnë për mjetet e Programit pesë vjeçar për zhvillim rural, edhe për shkak se nuk pronësi në emër të tyre. Andaj kërkohet nga pushteti që të gjendja e tyre ekonomike dhe sociale. Ato ankohen edhe se kanë probleme të realizojnë edhe të drejtat e tjera si ato për pension. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë , thonë se nevojitet të eliminohen pengesat që gratë fermere të realizojnë të drejtën e pushimit të lindjes si dhe të drejtën e pensionit.
“Nevojitet që Qeveria të vendosë një sërë masash për rritjen e mundësive të punësimit të grave në vendbanimet rurale, masa me të cilat do të njihet puna e papaguar e grave në përkujdesjen për familjen dhe punën bujqësore, të zgjidhet problem me gratë rurale që nuk plotësojnë kushtet për pension , si dhe të eliminohen pengesat për realizimin e të drejtës së pushimit të lindjes tek fermeret e regjistruara. Nevojitet edhe ridefinimi i kushteve për aplikim që do të përfshijë edhe gratë fermere të programit trevjeçar 2018-2021 të zhvillimit rural duke përfshirë gratë në mjediset rurale që janë pjesë e ekonomive bujqësore, duke eliminuar më shumë kushte diskriminatore “, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë.
Kërkohet edhe që të rinjtë dhe gratë të kenë të mbuluar 55 për qind të investimeve nga mjetet IPARD dhe të tjera. Një vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet edhe strategjisë që do të sigurojë qasjen ndaj të drejtës ndaj tokës, dhe pronësinë e pronës për gratë në vendbanimet rurale , si dhe në inkuadrimin më të madh të grave në krijimin e politikave bujqësore, dhe involvimin e tyre aktiv në proceset e vendosjes të zhvillimit rural në nivel lokal dhe kombëtar.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se do të ketë ndryshime ligjore në favor të grave fermere. Kriteri për gratë fermere do të ndryshohet, me qëllim të zgjidhet kërkesa e tyre, andaj ky kriter do të jetë objekt i revizionit, ndërsa në bashkëpunim me palët relevante do të ndryshohet dhe do të definohet në bazë të parimeve të barazisë gjinore.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale, thonë se gratë që merren me bujqësi dhe janë të regjistruara si objekt juridik , dhe i paguajnë kontributet kanë të drejtë për pension të moshës dhe pushim mjekësor të lindjes. Lidhur me realizimin e të drejtës për pension, bujqit nga viti 1994 janë të barazuar me të siguruarit e tjerë në marrëdhënie pune. Ato paguajnë kontribute në bazë më të ulët në raport me të siguruarit e tjerë. Nëse i paguajnë kontributet , realizojnë të drejtën e pensionit me 64 vjet për burrat dhe 62 vjet për gratë me së paku 15 vjet të përvojës së punës shtojnë nga ky dikaster.
Ndryshe, vlerësohet se gratë nga mjediset rurale janë të padukshme dhe të harruara nga ana e shtetit. Përjashtimi social, papunësia, diskriminimi gjinor, ndarja joadekuate e resurseve, dominimi i normave tradicionale, jo realizimi i të drejtës për pronësi të pronave bujqësore, qasja e kufizuar ndaj edukimit, informimit dhe shërbimeve sociale… janë një pjesë e problemeve që Federata e Fermerëve të Maqedonisë i ka theksuar në Gjenevë para Komitetit të OKB-së, të angazhuar për ndjekjen e implementimit të Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit të grave. (koha.mk)