Komunat rurale ankohen se në praktikë ekzistojnë edhe probleme të caktuara për shfrytëzimin më të madh të mjeteve IPARD. Kërkohet edhe anulimi apo ulja e pagesës së TVSH-së për projektet evropiane duke marrë parasysh kondicionin e dobët financiar të komunale
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 qershor – Sa komunat rurale të banuara me shqiptarë i shfrytëzojnë fondet evropiane? Nga analizat e deritanishme rezulton se fitimi dhe realizimi i projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian për përmirësimin e infrastrukturës, nuk është një mision i pamundur për komunat rurale shqiptare në Maqedoni. Ekzistojnë më shumë shembuj të komunave që me sukses aplikojnë dhe fitojnë mjetet evropiane për përmirësimin e kushteve të jetesës në viset rurale.
KËRKESAT E KOMUNAVE SHQIPTARE
Megjithatë, komunat rurale ankohen se në praktikë ekzistojnë edhe probleme të caktuara për shfrytëzimin më të madh të mjeteve të IPARD të dedikuara për përmirësimin e cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale, rindërtimin dhe zhvillimi i fshatrave, si dhe ruajtjen dhe avancimin e vlerave tradicionale në viset rurale.
Kërkohet edhe anulimi apo ulja e pagesës së TVSH-së për projektet evropiane duke marrë parasysh kondicionin e dobët financiar të komunale rurale të cilat nuk kanë në kufijtë e tyre administrativ, biznese të fuqishme që punësojnë me mijëra punëtorë apo që derdhin shuma të mëdha në arkën e komunës në emër të pagesës së tatimeve të ndryshme.
“Komuna jonë në parim nuk ka pasur problem me thithjen e fondeve të ndryshme evropiane si ato të bashkëpunimit ndërkufitar, IPARD etj. Megjithatë, nëse flasim në përgjithësi për komunat rurale dhe sidomos ato shqiptare, nevojitet që në të ardhmen të zgjidhet problemi me pagesën e Tatimit të Vlerës së Shtuar nga ana e komunave për realizimin e projekteve që në praktikë do të thotë se për mjetet e fituara prej 1 milion euro do të paguani 180 mijë euro , andaj komunat rurale edhe nuk përfundojnë projektet, i lënë përgjysmë apo ndodh që të heqin dorë prej tyre për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë shuma të mëdha për pagesën e tatimit”, thotë për KOHA, Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.
Sipas tij, është pozitive se është tejkaluar problemi i viteve të kaluara, kur për projekte të caktuara kanë mundur të konkurrojnë vetëm fshatrat deri më 1000 banorë, ndërsa tani mund të fitojnë mjete edhe fshatrat me 3000 apo 4000 banorë. Gjithashtu është premtuar
se do të rriten mjetet e IPARD për vitin 2019 që aktualisht ka në dispozicion mjete në vlerë prej 12 milionë euro.
“Është për të përshëndetur edhe fakti se është zgjatur afati i aplikimit deri në mesin e muajit maj, në vend të muajit mars. Me fjalë të tjera, komunat kanë fituar edhe dy muaj shtesë kohë që të përmirësojnë dhe evitojnë gabimet eventuale gjatë aplikimit për mjetet IPARD”, sqaron Arifi.
Kryetarët e komunave të tjera rurale kërkojnë edhe më shumë llogaridhënie gjatë realizimit të projekteve të ndryshme nga ana e Agjencisë Pagesore, për shkak se sipas tyre mjetet evropiane paraqesin të vetmet të hollat që mund të përmirësojnë kushtet themelore të jetesës në vendbanimet rurale.
“E vetmja mënyrë që komunat rurale të riparojnë apo ndërtojnë infrastrukturën themelore për banorët e tyre si rrugët, ujësjellësin apo kanalizimin, janë mjetet evropiane IPA dhe IPARD. Ne si komunë në vazhdimësi kemi konkurruar në projekte të tilla, ku edhe kemi fituar projekte të caktuara, megjithatë mund të them se gjatë ndarjes së mjeteve mund të ndodhin edhe padrejtësi të caktuara , andaj nevojitet një transparencë maksimale dhe llogaridhënie më e madhe se si në çfarë mënyre një komunë rurale i ka plotësuar kriteret e përcaktuara për fitimin e mjeteve IPARD” , thotë kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku
Sipas tij, në parim nuk është vështirë të aplikohet, të përkthehen dokumentet e nevojshme në gjuhën angleze, të përgatiten elaboratet e ndryshme për mbrojtjen e ambienti etj. Nevojitet që edhe komunat rurale shqiptare të tregojnë një gatishmëri, angazhim dhe përgatitje më të madhe me qëllim të shfrytëzimit maksimal të fondeve evropiane, shton më tej Sadiku.
Edhe nga komunat e tjera rurale e thonë se nuk është e pamundur të tërhiqen mjetet e evropiane për ndërtimin e infrastrukturës, në rast se plotësohen kriteret mjaft të rrepta të aplikimit.
IPARD KËRKON RREGULLA STRIKTE
“Programi IPARD në parim kërkon rregulla strikte të lojës që përcaktohen nga Komisioni Evropian , projekte më cilësore si dhe kapacitete të vetë komunave rurale që të plotësojnë të njëjtat. Përvoja jonë si komunë është pozitive, dhe tregon se mjetet edhe fitohen në fund në rast se plotësohen kërkesat e ndryshme. Nëse je i përgatitur dhe nëse ke projekte mirë të përgatitura që i plotësojnë standardet rigoroze, në atë rast edhe nuk paraqet ndonjë problem të veçantë që të fitohen këto të holla. Megjithatë ndodh që komunave rurale t’ju mungojnë kapacitetet e brendshme për përgatitjen e këtyre projekteve apo ju mungojnë edhe projektet serioze për shkak se kushtet e kërkuara gjatë aplikimit janë mjaft decide dhe kërkohet që me 100 për qind të plotësohen kushtet”, thotë për KOHA, kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.
Në ndërkohë nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale që përfaqëson të 84 komunat në Maqedoni , kërkojnë edhe përshpejtimin e procedurave për ridestinimin e tokës ndërtimore në tokë bujqësore nga ana e institucioneve shtetërore në favor të zhvillimit ekonomik të komunave rurale. Kërkohet edhe rritje e mjeteve financiare për komunat rurale në pjesën e mjeteve të shitjes së tokës shtetërore bujqësore, si dhe rritjet e mjeteve për komunat në bazë të koncesioneve për shfrytëzimin e ujit, kullosave, pyjeve etj. Komunat kërkojnë edhe thjeshtësimin e procedurave për miratimin e planeve për planifikimin e hapësirës.
Ndryshe , komunat rurale në Maqedoni prej vitit të ardhshëm do të kenë në dispozicion mjete në vlerë prej 12 milion euro të programit IPARD , për të cilat do të aplikojnë prej muajit të ardhshëm. Sivjet programi ka vlerën prej 34 milion euro, ndërsa të hollat kryesisht shkojnë për projekte të vjetra që tani paguhen dhe realizohen.
Në bazë të Programit për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, në vitin 2018 ofrohen më shumë investime që ndahen në tre masa kryesore si “Përmirësimi i cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale”, “Rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave”, si dhe “Ruajtja dhe avancimi i vlerave tradicionale në viset rurale”. Të gjithë këto masa janë të dedikuara për investime të ndryshme kapitale në infrastrukturën rurale. (koha.mk)