Në Maqedoninë e Veriut, investimet në hulumtime dhe shkencë arrijnë vetëm 0.1 për qind të Bruto Prodhimit Vendorë. Sipas njohëseve të çështjeve arsimore, kjo është njëra ndër arsyet kryesore se përse kemi zhvillim të dobët të veprimtarisë arsimore dhe mungesës së projekteve inovative nga të rinjtë në vendin tonë
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 dhjetor – Në bazë të të dhënave nga EUROSTAT, vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar më shumë se 300 miliard euro për hulumtim dhe zhvillim teknologjik. Si përqindje nga Bruto Prodhimit Vendor (BPV), investimet në teknologji dhe hulumtime arrijnë një nivel mesatar deri në 2,19 për qind, e cila është një rritje minimale krahasuar me të dhënat e vitit 2018 ku investimet në shkencë kishin arritur deri në 2,18 për qind. Ndërsa 10 vite më parë, investimet arrinin vetëm 1.97 për qind të BPV-së.
Përqindja e investimeve në hulumtim dhe zhvillim teknologjik nga vendet e BE-së është e ulët nëse krahasohet me vendet tjera të zhvilluara si Koreja e Jugut, e cila arrin deri në 4,52 për qind, Japonia 2,38 për qind dhe SHBA-të me 2,82 për qind të BPV-së. Ndërkohë në Kinë sipas rezultateve investimet në hulumtime dhe shkencë janë edhe më të ulëta dhe arrin 2,06 për qind, në Britaninë e Madhe investimet në këtë sektor arrijnë deri në 1,76 për qind. Ndërsa në Rusi dhe Turqi, investimet në këtë sektor arrijnë vetëm një për qind të BPV-së. Investimet më të mëdha të hulumtimeve bëhen në sektorin privat, ku gjithsej arrin deri në 66 për qind, të ndjekur nga institucionet arsimore me 22 për qind, qeveritë dhe ndërmarrjet shtetërore me 11 për qind dhe organizatat joqeveritare me vetëm një për qind. Në vitin 2019, Suedia u rendit e para për sa i përket investimeve në hulumtime dhe zhvillim teknologjik, si përqindje e bruto prodhimit vendor prej 3.39 për qind.
Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, investimet në hulumtime dhe shkencë arrijnë vetëm 0.1 për qind të BPV-së. Sipas njohëseve të çështjeve arsimore, kjo është njëra ndër arsyet kryesore se përse kemi zhvillim të dobët të veprimtarisë arsimore dhe mungesës së projekteve inovative nga të rinjtë në vendin tonë. Novatori Endrit Rushiti, për gazetën KOHA, është shprehur se të rinjtë e RMV-së në u duhet më shumë përkrahje institucionale. “Përkrahja nga institucionet shtetërore në mënyra të ndryshme janë te nevojshme edhe pas mbarimit të universitetit sepse atëherë është edhe më e nevojshme. Por fatkeqësisht kjo mungon te ne”, deklaron Rushiti. Sipas tij, institucionet shtetërore nuk janë të interesuar që të informojnë të rinjtë dhe ti përkrahin në idetë dhe projektet e tyre. Rushiti, është shprehur se koha pas mbarimit të universitetit është koha më e rëndësishme për një të ri. “Por edhe këtu si në çdo sferë në vendin tonë, ka dallime mbi baza etnike dhe të rinjtë shqiptarë edhe këtu e kanë më të vështirë për të depërtuar për shkak përzgjedhjes e cila bëhet nga autoritetet arsimore dhe shkencore” shtoi ai. Në fund Rushiti, ka thënë se rëndësi duhet ti kushtohet shkollimit të mesëm që më shumë ta bëjnë profesionale dhe të rinjtë të marrin aftësi në fusha të veçanta dhe jo vetëm njohuri të përgjithshme siç ndodhë rëndom.
Ndryshe, së fundmi Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) ka shpallur një tender ndërkombëtar për zgjedhjen e një kompanie që do të përgatisë një studim shkencor mbi temën “Ndikimi i rrezatimit nga pajisjet dhe teknologjitë e telekomunikacionit në shëndetin e njeriut dhe mjedisin – ambienti që na rrethon (4G dhe 5G)”. Tenderi është shpallur në Byronë e Prokurimit Publik dhe kompanitë e interesuara që do të plotësojnë kriteret e kërkuara në lidhje me ekspertizën, përvojën dhe ekspertizën, do të jenë në gjendje të paraqesin ofertat e tyre deri më 22 dhjetor të këtij viti. Kompania e zgjedhur me të cilën do të lidhet një kontratë do të jetë e detyruar që brenda gjashtë muajve të përgatisë studimin e kërkuar. Ky studim do të jetë bazë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga AKE në lidhje me zhvillimin e rrjeteve të telekomunikacionit pa tel në vend. Studimi shkencor duhet të provojë dhe demonstrojë nëse deri më sot ka ose ka pasur ndonjë rrezik shëndetësor të provuar nga ekspozimi ndaj rrezatimit RF EMF. (koha.mk)