Me rebalancin e Buxhetit, MASH ) ishte sektori i tretë me më shumë shkurtime financiare. Për këtë arsye OEM kërkon rritjen e përqindjes së fondeve nga Buxheti i Financimit të Arsimit për 50% në krahasim me fondet e tanishme, pra nga 3.7% i BPV të rritet në 5%, me qëllim që të rritet cilësia në arsim.
Remzije BILALLI
Shkup, 8 tetor – Me rebalancin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë Veriore në shtator të këtij viti Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ishte sektori i tretë me më shumë shkurtime financiare. Ulje më të madhe kishte në arsimin e lartë – 329 milion denarë, e ndjekur nga “investimi në arsim” – 218 milion denarë dhe arsimit fillor – 147 milion denarë më pak. Duke pasur parasysh këtë dhe reformat të cilat po zhvillohen në arsim, Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM), kërkon rritjen e përqindjes së fondeve nga Buxheti i Financimit të Arsimit për 50% në krahasim me fondet e tanishme, pra nga 3.7% i BPV të rritet në 5%. Fondet të cila janë ndarë tani jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë edhe larg nga mesatarja e që parasheh Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OBZHE).
Të dhënat zyrtare nga Enti Shtetërore i Statistikave nga viti 2011 deri në 2016, shpenzimet për arsim në vendin tonë si përqindje e BPV janë ulur prej 4.6% në 3.7%. Vendi ynë ndan 25% më pak fonde, ndërsa vendet të cilat kanë rritje dhe sukses në sistemin arsimor ndajnë më shumë Buxhet në këtë sferë. Sipas Buxhetit të vitit 2018, kostot totale për student në arsimin fillor janë 995 dollarë amerikanë, në arsimin e mesëm 1,355 dollarë amerikanë dhe 1.198 dollarë amerikanë në arsimin e lartë, që del se Maqedonia devijimi nga mesatarja e OBZHE, për arsimin fillor është 88.3%, për arsimin e mesëm 86.6% dhe për arsimin e lartë 92.2%
“Çelësi i zhvillimit ekonomik të vendit dhe shoqërisë në përgjithësi janë investimet në arsim cilësor, të cilët do t’i ofrojnë të rinjve mundësi që të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në të gjitha proceset e punës. Ekonomia dhe shoqëria duhet të mbështeten në njohuri dhe ekspertizë, sepse kjo është mënyra e vetme për të rritur produktivitetin e biznesit, rritjen e prodhimit dhe cilësinë e produkteve, planifikimin afatgjatë të zhvillimit të biznesit dhe investimet e reja”, theksuan nga OEM.
Natasha Janeva nga OEM theksoi se mësimdhënësit duhet të luajnë rol kyç, sepse është një ndër profesionet më me përgjegjësi dhe ata duhet të motivohen duke i siguruar kushte për punë, zhvillimin e karrierës dhe jo më pak e rëndësishmja, vlerësimi i punës së tyre. OEM ndër të tjera theksoi se studentët të cilët regjistrohen ne Fakultetin Pedagogjik duhet të klasifikohen duke u përzgjedhur studentët më të mirë. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave shuma e pagës mesatare totale të paguar në arsim është rreth 23,448 denarë, ndërsa paga mesatare totale për vitin e fundit, 2018 në vendin tonë , është 24,276 denarë. Përveç pagës, të ardhura shtesë për mësimdhënësit janë nëse ai/ajo pranon të jetë mentor ose drejtues i klasës. Për rolin e mentorit, mësuesi merr 2,914 denarë në shkollën fillore dhe 3,042 denarë në shkollën e mesme ndërsa për drejtues të klasës 1,400 denarë në shkollë fillore dhe 1,480 denarë në shkollë të mesme. Këto të dhëna tregojnë se nëse shteti dëshiron të ketë një arsim cilësor që ofron personel profesional dhe cilësor, duhet të rrisë investimet në arsim.
“Në arsim nuk guxohet të eksperimentohet nëse duam të kemi një shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe të prosperuar, dhe për këtë arsye bazuar në analizat e tona ne kërkojmë rritje të domosdoshme të buxhetit në arsim”, tha Natasha Janevska nga OEM. (koha.mk)