[adning id="476476"]

Investimet kapitale sërish nuk do të realizohen deri në fund

20

Trendi i tanishëm i ndërtimit të shkollave, rrugëve, ujësjellësit dhe kanalizimeve… jep shpresë se deri në fund të vitit, me një angazhim më të madh do të realizohen së paku 80 për qind e investimeve kapitale. Ngjashëm me vitin 2020, kur u realizuan 81 për qind të investimeve kapitale, dhe vitin 2019 kur ato u realizuan me 78 për qind

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 14 shtator – Numëratori fiskal i Ministrisë së Financave tregon se deri më 7 shtator janë realizuar 40.2 për qind të investimeve kapitale. Apo me fjalë tjera deri tani janë investuar 12.010 milion denarë apo afër 195 milion euro për projekte kapitale. Një trend i tillë i ndërtimit të shkollave, rrugëve, ujësjellësit dhe kanalizimeve etj, jep shpresë se deri në fund të vitit me një angazhim më të madh do të realizohen së paku 80 për qind e investimeve kapitale, ngjashëm me mesataren e viteve të kaluara. Vitin e kaluar si një periudhë e krizës së shkaktuar nga pandemia u realizuan 81 për qind të investimeve kapitale, ndërsa në vitin 2019 ato u realizuan me 78 për qind apo u harxhuan 17.8 miliardë denarë.

Nga Ministria e Financave thonë se zgjedhjet lokale, por edhe vala e re e pandemisë ndikon në realizimin e investimeve kapitale, përderisa presin që investimet kapitale të arrijnë mesataren e viteve të kaluara. Ministri, Fatmir Besimi në brifingun me gazetarët, theksoi se ka kërkuar nga institucionet që t’i paguajnë të gjitha paratë për investimet kapitale të realizuara tashmë, me të cilat edhe do të shlyhen detyrimet e vjetra edhe do të përmirësohet realizimi. “Do të ketë përmirësime në raport me vitin e kaluar, mirëpo nuk pres diçka spektakolare. Ne kemi rritur pjesëmarrjen financiare tek shpenzimet kapitale, përderisa tek investimet kapitale mendoj se do të arrijmë të jemi në korniza të mesatares. Njëherësh sivjet kemi zgjedhje që gjithashtu paraqet një kufizim dhe ndikon në realizimin e suksesshëm të tyre”, thekson Besimi.

Në ndërkohë, me rishikimin e fundit të buxhetit, investimet kapitale për vitin 2021 janë rritur për 100 milion euro shtesë dhe kanë arritur në mbi 500 milion euro. Nga ana tjetër, viteve të kaluara mjetet që nuk realizoheshin nga investimet kapitale ri orientoheshin për nevojat të tjera. Gjithashtu nuk ishte vetëm pandemia shkak për realizimin e dobët të shpenzimeve kapitale që edhe më parë vështirë kanë arritur realizimin prej 80 për qind, pas shkurtimeve me rishikimet buxhetore. Ekonomistët thonë se realizimi i tërësishëm i investimeve kapitale që dikton edhe rritjen ekonomike, kërkon edhe një planifikim më të kujdesshëm. Vlerësohet se realizimi i investimeve kapitale që parashikohen në buxhetin e shtetit në vazhdimësi problematizohet si rrjedhojë e planifikimit joadekuat, mungesës së kapaciteteve teknike për realizimin e tyre dhe nxitjes më të madhe për realizimin e tyre.

“Të gjitha institucionet shtetërore nevojitet të ndërtojnë kapacitete për menaxhimin më të mirë të investimeve kapitale , për shkak se një është ti planifikosh ato, dhe krejt tjetër është ti realizosh të njëjtat. Në shtet çdo herë ka pasur probleme me realizimin e tyre për shkak të se nuk kemi aftësi të mjaftueshme për menaxhimin e këtij lloj investimi. Njëherësh nevojitet që prej përpara të parashikohen më shumë gjëra lidhur me projektet që mund të zgjasin apo shtrenjtojnë ato”, thonë ekonomistët. Për të avancuar realizimin e investimeve kapitale, në Buxhetin për vitin 2021 është parashikuar edhe mekanizmi funksional për përmirësimin e realizimin, apo për orientimin e mjeteve ndaj projekteve me realizim më të madh. Apo me fjalë të tjera, krijohet mekanizmi për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor, në nivel tremujor – nga ata me realizim të dobët tek ata me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale.

REALIZIMI I INVESTIMEVE KAPITALE

2008: 78.05 për qind

2009: 69.69 për qind

2010: 86.65 për qind

2011: 84.37 për qind

2012: 87.50 për qind

2013: 82.42 për qind

2014: 83.58 për qind

2015: 83.96 për qind

2016: 76.01 për qind

2017: 83.6 për qind

2018: 65.6 për qind

2019: 78 për qind

2020: 81 për qind

(koha.mk)