Zejnulla VESELI
Shkup, 3 maj – Bosnja dhe Hercegovina ka më pak investime të huaja direkte për kokë banori në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Mali i Zi ka më shumë. Investimet e huaja direkt në Shqipëri janë 983 milionë euro, që është rritje prej 10 për qind në vitin 2016 krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e tillë është si rezultat i rritjes së madhe të investimeve të huaja direkt në sektorin energjetikë, të cilët në vitin 2016 ishtin 369 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Rritja e investimeve të huaja direkte në Bosnja dhe Hercegovina për 12 për qind është si rezultat i rritjes së fitimeve të riinvestuara, si dhe në blerjen e instrumenteve të borxhit. Investimet e huaja në Serbi janë dy miliardë euro në vitin 2016, që është pothuajse shumë e njejtë si në vitin 2015. Rënie më të madhe e investimeve të huaja nga të gjithë vendet në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015 ka në Mal të Zi, dhe atë për 40 për qind. Faktori më i rëndësishëm për këtë rënie janë rifinancimi i borxhit të euroobligacioneve dhe rënia në detyrat qeveritare që rrjedhin nga kreditë e marra dhe mjete të bankave të depozituara jashtë vendit, si dhe rritje në detyrat tjera tek korporatat dhe bankat. Rënia e dytë më e madhe në investimet e huaja direkte është vërejtur në Kosovë, 30%, që është rezultat i rënies të kapitalit dhe investimet në aksione, si dhe në instrumentet e borxhit, tregojnë analizat e institutit për hulumtime ekonomike dhe politikë “Finance Think”. Sipas Ivan Vçkov, analistë ekonomik nga “Finance Think”, arsyeja për uljen e investimeve të huaja direkte në Maqedoni është si rezultat i krizës ekonomike e cila e kaploi vendin që nga viti 2015. “Vazhdimi i krizës politike krijon pasiguri në raport me investimet nga ana e sektorit të jashtëm, që nxit dhe kufizim te investitorët potencialë dhe investitorët aktual të huaj në planifikimin e investimeve aktuale dhe të ardhshme si dhe aktivitete për zhvillimin e Maqedonisë”, thekson Vçkov. Ai thotë se programi i Qeverisë së Maqedonisë për përmirësimin e gjendjes ekonomike përfshin dhe nxitje të bashkëpunimit të kompanive vendase me investimet e huaja direkte që të përmirësohet gjendja ekonomike e vendit përmes rritjes së barabartë rajonale dhe zhvillim i kompanive vendase të cilët bashkëpunojnë me investimet e huaja. “Definitivisht si pjesë e prioriteteve strategjike duhet të jetë tërheqja e investitorëve të cilët mund të bashkëpunojnë me sektorin vendas privat për përmirësimin e bizneseve vendase. Bashkëpunimi është në shërbimet hotelierike dhe për transport dhe shumë më pak për industrinë e prodhimit”, sqaron Vçkov. Ai shton se industria e prodhimit si motor i rritjes ekonomike në Maqedoni drejtpërdrejtë është nën ndikimin e llojit të bashkëpunimit mes investitorëve të huaj dhe kompanitë vendase. “Përveç kësaj, ekzistojnë sfida nga ajo se a kanë kapacitet firmat vendase t’ju përgjigjen nevojave të këtyre kompanive. Rritja e importit mund të shkaktohet dhe nga nevoja e këtyre kompanive për ti importuar materialet nga vendet tjera”, konsideron Vçkov. Analisti ekonomik nga “Finance Think” theksoi se për momentin investitorët kryesor janë nga industria e automobilave, që është mirë për zhvillimin teknologjik të vendit, por ka deficit të fuqisë punëtore me aftësi që mund ti përgjigjet nevojave të fabrikave më të zhvilluara teknologjike.
“Industria ushqimore apo industritë të tjera të zhvilluara të prodhimit në Maqedoni do të japin vlerën më të madhe të shtuar”, thotë Vçkov. Investimet e huaja direkte në vitin 2016 në Maqedoni kanë qenë 1,58 për qind nga PPB, theksojnë nga “Finance Think”, që do të thotë se sektori vendas vazhdon të jetë motori kyç në ekonominë e Maqedonisë. “Investimi në teknologji të re dhe zbatimi i produkteve të reja apo shërbime dhe strategji të reja për rritjen e vëllimit të punës te firmat vendase, do të kontribuonin për të dal në pah investimet vendase. Përveç kësaj, shteti duhet të zhvillojë programe të veçanta për mbështetje të sektorit privat vendas në krahasim me industrinë në të cilën vepron”, thekson Vçkov. Angel Dimitrov, Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM), konfirmon se arsyeja kryesore është gjendja kaotike politike në Maqedoni, e cila ndikon negativisht në çdo ide për investim, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për investitorët e huaj apo vendas. “Rajoni ynë është i njohur nga paqëndrueshmëria politike, por gjithashtu është i mundshëm ndikim negativ dhe nga faktorë të tjerë. Shtetet në rajon garojnë se cila do të ofrojë përfitime më të mëdha për investitorët e huaj, por ekzistojnë dhe faktorë të cilët nuk varen nga përfitimet, si për shembull kuadro të trajnuar dhe të arsimuar, infrastruktura, sipërfaqja e tregut dhe faktorë të tjerë të cilët vendet i lënë pas dore”, konsideron Dimitrov. Sipas tij, për Maqedoninë është shumë me rëndësi investitorët e huaj të bashkëpunojnë me kompanitë vendase dhe ashtu të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tyre. “Nga përvoja e deritanishme u pa se investitorët e huaj nuk treguan interes më të madh për bashkëpunim me kompanitë tonë. Arsyeja kryesore për atë janë mënyra e tyre e punës dhe teknologjia me të cilën veprojnë. Numri më i madh prej tyre janë kontraktorë të prodhuesve të tjera të mëdha dhe prodhojnë disa elemente që janë të përfshira në industrinë automobilistike apo industri tjetër. Për fat të keq, për shkak të punës intensive të këtij lloji të industrisë ata shfaqen si kërcënim dhe konkurrencë jo lojale e kompanive vendase. Për atë arsye në të ardhmen duhet të subvencionohen dhe të tërhiqen kompanitë me nivel më të lartë të përpunimit dhe teknologji më të lartë, të cilët sigurisht se do të kenë nevojë edhe nga nënkontraktorët vendas”, theksoi Dimitrov. Ai thotë se deri më tani numri më i madh i punëtorëve janë punësuar në sektorin e përpunimit, i cili gabimisht është i njohur si industria automobilistike. “Qepja e mbulesave për automjete apo konfekcionimi i elementeve nga instalimi elektrik i automjeteve nuk paraqet auto-industri. Kur ata do të prodhonin motor të automjeteve, kuti dhe diferencial, pajisjet e ndriçimit apo diçka të ngjashme, atëherë do të kishte dhe fazë më të lartë të përpunimit dhe vlerë më të madhe të shtuar dhe sigurisht do të kishte nevojë nga përfshirja e nënkontraktorëve lokal. Në këtë rast ata përpunojnë materiale të importit dhe i eksportojnë si komponentë për instalim në automjete”, sqaron Dimitrov. Sipas tij, sektori vendas është motor i ekonomisë dhe kompanitë vendase përfitimin si lloj i profitit e shpenzojnë në vend, pa marrë parasysh nëse ajo është shpenzim në formën e investimeve të reja apo shpenzime finale të popullsisë. “Investitorët e huaj pjesën më të madhe nga përfitimi e lënë jashtë vendit dhe në afat më të gjatë kjo dalje e kapitalit mund të jetë shumë më i madh nga hyrja gjatë investimit”, thotë Dimitrov.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara