Inventari i vjetërsuar është shkaktar kryesor që shpesh hasim në mungesë të higjienës në shkollat e vendit tonë, edhe përkund përpjekjeve që bëhen nga ana e personelit. Kjo rezulton në paraqitjen e sëmundjeve infektive të ndryshme. Në katër muajt e fundit janë regjistruar rreth 60 raste të verdhëzës (hepatitit A), shifër kjo që është dy herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Remzije BILALLI
Shkup, 9 janar – Mirëmbajtja e rregullt e higjienës personale dhe e përgjithshme është mbrojtja e vetme kundër verdhëzës ngjitëse, e cila gjatë këtyre katër muajve ka infektuar më shumë se 60 njerëz e në disa rrethina është shpallur edhe si sëmundje epidemike. Nga ana tjetër higjiena jo e mirë është shkaktar i shumë sëmundjeve të tjera.
Meqenëse se shkollat dhe kopshtet janë vende ku përhapen më shumë këto sëmundje është e nevojshme që higjiena të jetë në nivel të lartë dhe të merret preventivë për mbrojtjen e nxënësve dhe personelit i cili punon. Por shpesh prindërit në rrjetet sociale ankohen për kushte jo të mira dhe mungesë të higjienës në shkolla, e disa theksojnë se detyrohen të blejnë vetë edhe mjete për mirëmbajtjen e higjienës. Komunat, të cilat me ligj janë themeluesit e shkollave fillore dhe që duhet të kujdesen për higjienën, thonë se prindërit nuk kanë asnjë detyrim të blejnë mjete higjienike. Nga Komuna e Çairit për gazetën KOHA gjithashtu theksuan se ky është detyrim i shkollës në bashkëpunim me komunën. “Që të punësuarit dhe nxënësit të kenë një ambient më të pastër dhe kushte të mira informojmë se të gjitha shkollat në komunën Çair janë të pajisur me mjete higjienike nëpër tualete për mbarëvajtjen e pastërtisë në nivelin e duhur. Ndërsa për shkak paraqitjes së verdhëzës në disa Komuna të Shkupit dhe për shkak se ky numër është rritur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar kemi shtuar kontrollin dhe preventivën. Ne vazhdimisht kërkojmë koordinim dhe përgjegjësi nga drejtorët e shkollave”, thonë nga Komuna e Çairit.
Nga ana tjetër profesori i Shkollës së mesme ekonomike “Arsen Jakov” në Shkup,Faruk Avdiu, për gazetën KOHA theksoi se ka mungesë të kushteve higjienike jo vetëm në shkollat e mesme por edhe në ato fillore. “Ka probleme me mirëmbajtjen higjienike, kjo kryesisht varet dhe vjen nga inventari i vjetërsuar. Stafi sado që punon dhe përpiqet në mirëmbajtjen e higjienës nuk ja del, përsëri mund të kundërmoj erë e keqe. Mjete për mirëmbajtje nuk janë të rregullta ndonjëherë kemi ndonjëherë nuk kemi. Probleme të tilla ka edhe në shkollat fillore sepse shpesh i pyesim nxënësit të cilët vinë nga shkolla të ndryshme fillore edhe ata i shprehin ankesat e tyre” tha Avdiu. Sipas tij, situatë e ngjashme ishte edhe në Shkollën fillore ‘Liria’ , por pas renovimit kushtet në këtë shkollë janë përmirësuar dukshëm.
Ndërkaq drejtori i Shkollë Fillore “Penko” në Shkup, Enis Mehmeti, për gazetën KOHA theksoi se ata vazhdimisht janë të angazhuar për mirëmbajtjen e higjienës dhe nuk lejojnë që prindërit të blejnë mjete të tilla sepse sipas tij kjo është detyrë e shkollës dhe se deri tani nuk kanë pasur ndonjë sëmundje e cila shkaktohet si rezultat i mungesës së higjienës. Mësimdhënësi Bajram Ramadani nga Komuna e Likovës theksoi se kjo dukuri është relative. “Kryesisht ka higjienë por kjo është relative, mirëpo nuk jemi deri në atë situatë që të kërkojmë nga prindërit që të na furnizojnë me mjete të tilla. Por si në të gjitha shkollat e vendit tonë kushtet nuk janë optimale. Besoj se rol të madh ka infrastruktura e shkollës, tani në shkollën ku punoj do bëhet vendosja e nxehjes dhe besoj se me këtë për një shkallë do të përmirësohet higjiena”, tha Ramadani për gazetën KOHA.
Ndërkaq Inspektorati Shtetëror i Shëndetit dhe Sanitari kryen inspektime të rregullta të higjienës në shkollë dy herë në vit. Drejtoresha e këtij institucioni d-r Irina Buhova, theksoi se kontrollet për herë të fundit janë bërë në muajin shtator dhe tetor. “Gjatë mbikëqyrjes sonë të rregullt dhe të jashtëzakonshme në shumë shkolla kishte edhe tualete dhe sapunë. Aty ku ne hasim mungesë ne jemi të detyruar t’i furnizojmë me mjetet e duhura, ndërsa më pas ne përsëri kryejmë kontroll. Përndryshe, kur ka paraqitje të verdhëzës, marrim raport nga Qendra e Shëndetit Publik dhe ata më pas veprojnë”, tha Buhova. Qendra e Shëndetit Publik raportoi se në kryeqytet për rreth katër muaj, janë regjistruar rreth 60 raste të verdhëzës (hepatitit A). Kjo shifër është dy herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (koha.mk)