Intrigat ballkanike në oborrin e demokracisë

Shkruan: AGIM NESHO

Para disa ditësh, Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo, emëroi Zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, si të dërguarin Special për Ballkanin dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një lëvizje e matur e politikës së jashtme amerikane dhe kthim i vëmendjes së saj në Ballkan. Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo problem të paqes dhe stabilitetit në botë është një garanci më tepër për mbrojtjen e vlerave perëndimore dhe forcimin e boshtit atlantik. Për më tepër, zoti Palmer është një njohës i mirë i Ballkanit dhe me një eksperiencë të konsiderueshme me problemet e këtij rajoni.

Si një rajon me një stabilitet relativ pas konflikteve dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku roli i SHBA dhe BE ka qenë determinant, 20 vite më vonë shikojmë përpjekje për zgjidhjet të reja, të ndikuara nga shumë faktorë.

Së pari, rritja e rolit të Serbisë dhe përpjekjet e saj për të realizuar obsesionin historik të dominancës në Ballkanin Perëndimor, afrimi me Bashkimin Europian, si dhe dëshira e perëndimit për ta pasur Serbinë në Bllokun Perëndimor i jep kësaj të fundit shanset për të rihapur edhe disa çështje që tashmë i përkasin historisë. Për Serbinë, është e rëndësishme një ndryshim gjeopolitik i ri në Ballkan, që t’i mundësojë bashkimin me disa territore, të cilat i konsideron të sajat si dhe të rikthejë marrëveshjen me Republikën e Kosovës në një marrëveshje ku ajo të dalë e fituar dhe krenare për të bërë të mundur njohjen de jure të Republikës së Kosovës. Zgjidhja për të dyja problemet kalon nga kompromisi me Kosovën dhe precedenti i ndryshimit të kufijve.

Së dyti, rritja e rolit të fuqive të reja rajonale si Rusia, Kina dhe Turqia, të cilat duan të rrisin influencat e tyre në Ballkan. Në qoftë se Kina është agresive në ekspansionin e saj ekonomik si një prelud për të ardhmen, Rusia është direkt e interesuar për të rikthyer influencën e saj në Ballkan, duke penguar dhe ndaluar integrimin e Ballkanit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Interesat e saj janë shprehur hapur në pengesat e krijuara Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e tyre në NATO dhe tani me rritjen e influencës së saj në Serbi, ekonomikisht dhe ushtarakisht, kërkon destabilizim në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Turqia vazhdon projektin e saj të ‘Perandorisë Neo-otomane’, më pak agresive në pamje, por më e frikshme në realizimin e qëllimeve të saj duke përdorur edhe korruptimin e liderëve politike në këtë rajon.

Së treti, në problematikën e krijuar dhe kontradiktat midis fuqive perëndimore SHBA dhe BE për rolin e tyre në vazhdimësinë e sistemit liberal botëror. Politika e administratës Trump, “Amerika e Para”, duket se ka zbehur bashkëpunimin midis dy fuqive perëndimore, si SHBA dhe BE.

Lëvizja e Departamentit të Shtetit për të emëruar një të dërguar special në Ballkan është shumë e drejtë dhe institucionale. Ajo ishte një përgjigje për të gjithë ata që mendonin se SHBA është larguar nga Europa dhe Ballkani Perëndimor dhe është indiferente ndaj legasisë së Shteteve të Bashkuara, krijuar në të shkuarën. Ajo ishte një reflektim institucional i gjithë përpjekjeve që administrata e Shtëpisë së Bardhë ka kërkuar disa muaj përpara për një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse të konfliktit Kosovë-Serbi. Vënia e zotit Palmer në funksionin e të dërguarit special është vetëm evidentim i detyrës së tij si Ndihmësasistentsekretar i Shtetit dhe përgjegjësisë që ka ai direkt për këtë rajon. Analisti i shquar amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, mendon që kjo është një shtytje për këtë axhendë Kosovë-Serbi, e cila mund të përdoret nga administrata si një fitore në politikën e jashtme në zgjedhjet e 2020.

Disa të tjerë mendojnë që është evidentim i vëmendjes për dy shtete aleate si Serbia dhe Shqipëria, duke vlerësuar që këshilltari i përbashkët i dy kryeministrave Rama dhe Vucic, Z. Tony Blair ka lobuar në SHBA. (Këshilltari Blair ka pasur takim me Sekretarin e Shtetit Pompeo, që është pasuar nga takimi i New Yorkut, Pompeo-Vucic, ku ai ka qenë prezent sipas raportimeve të shtypit ndërkombëtar.)

Por, ndërsa diplomacia amerikane po vepron me maturi dhe në mënyrë institucionale, çfarë përbën kjo lëvizje për përfaqësuesit bizantinë ballkanikë të etur të realizojnë skenarët e tyre? A do të punojë Presidenti Vuçiç nga ana tjetër për të kërkuar nga Rusia një të dërguar special për t’i dhënë një dimension ndërkombëtar problemit, duke e hequr nga Europa dhe çuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara? A po përpiqet Vuçiç që marrëveshjen me Kosovën, një çështje të zgjidhur ndërkombëtarisht, ta paraqesë si një konflikt të ngrirë që kërkon një zgjidhje të re? A do të mundësojë Vuçiç që ta vërë në konflikt Europën me SHBA-në për realizimin e skenarit të rij me ndryshim kufijsh dhe një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor? Këto janë të panjohurat që intriga ballkanike po sjell në arenën ndërkombëtare.

E vetmja fitore e Presidentit Vuçiç është se po e paraqet marrëveshjen Kosovë-Serbi jo si pjesë të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për integrimin e të dy vendeve në BE, por si një konflikt të mbetur i pazgjidhur nga e kaluara. Ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë që kjo është një çështje e mbyllur historike, kërkojnë ndryshimin, duan ta përdorin si precedent për konfliktet e tjera të ngrira, duke i ofruar Ballkanit pasiguri dhe destabilitet.

Plani serb i Vuçic duket se po bën përpjekjet e fundit për të mbijetuar. Ai ka ekzistuar kaq gjatë se është përkrahur nga liderë dhe regjime të korruptuara, të cilat ndryshimet e reja i kuptojnë si zgjatje të regjimeve të tyre autoritare. Çdo gjë, që të ndodhë, kërkon dëshirën dhe konsensusin e popullit shqiptar, i cili është i vetëdijshëm për interesat e tij kombëtare. Ky stad i zhvillimit të ngjarjeve kërkon një unitet të plotë të politikës dhe ndërgjegjësim për përgjegjësinë historike që mbartim. Perëndimi nuk mund të ndahet kur elementi shqiptar është i bashkuar dhe ka vizion për të ardhmen. Shqiptarët nuk mund të humbin prapë atë që kanë fituar, pavarësisht se mund të ketë individë që mendojnë se Serbisë i janë bërë padrejtësi dhe mund të korrigjohen me një marrëveshje të re në disfavor të Kosovës. Vuçiç duhet ta kuptojë se në qoftë se është i bindur t’i bashkohet perëndimit, kjo nuk mund të bëhet me pazare, por duke respektuar vlerat dhe parimet demokratike. Historia nuk mund të zhbëhet me nacionalizëm të ri apo me lobizëm pragmatik.

Sa për qeverinë shqiptare, ajo duhet të mbajë qëndrim që këshilltarët e saj si Tony Blair të mos jenë pjesë e axhendave të Presidentit Vuçiç. Ajo duhet të jetë transparente për qëndrimin që ka lidhur me planin Vuçiç, pavarësisht se ‘fati’ e ka detyruar të ketë shumë lobistë të përbashkët me Serbinë.