Diçka po ndodh mes Juventusit dhe Mauro Ikardit. Nuk është një negociatë e lehtë për t’u bërë, por për një seri ngjarjesh, të paktën diçka po lëviz. Kështu shkruan “Sportmediaset”, teksa liston disa ngjarje të orëve të fundit.
Episodi i parë, është një udhëtim blic i Fabio Paratiçit në Ibiza, ditën e djeshme me një avion privat. Përveç mundësisë se ai ka shkuar për të pushuar disa orë, pikërisht në Ibiza ditën e djeshme ka qenë edhe Mauro Ikardi dhe Vanda Nara.
Pasi u largua nga Ibiza, Vanda postoi një foto në Instagram, ku lajmëronte se po largohej nga Ibiza, dhe do qëndronte në Milano për gjashtë orë, dhe më pas në Sardenjë. Por, në të njëjtën kohë në Milano, gjendej edhe vetë Paratiçi, shkruan media italiane, i përfshirë me disa çështje rreth merkatos.
Këto mund të jenë thjesht koincidenca, por nga ana tjetër, është fakt se Konte nuk e dëshiron Ikardin në ekip, ndërkohë që për Sarrin mbetet një dashuri e vjetër, teksa e ka kërkuar edhe kur ishte tek Napoli. Ende asgjë nuk është e konfirmuar, dhe thjesht një takim i Paratiçit me Vandën, nuk mund të mbyllë gjithçka, por diçka po lëviz, dhe nuk do ishte çudi nëse Ikardin do e shihnim dhe me fanellën e Juvës pas disa ditëve.