12 mars 2018 – MIA
Ky është mandati juaj i dytë si kryetar. Me çfarë rezultate e përfunduat mandatin e parë?
– Sipas bindjes sime, mandati i parë është shumë i suksesshëm në shumë segmente. Në pjesën ekonomike kam punuar pesë vjet pa u bllokuar xhirollogaria e komunës. Edhe deri më sot nuk kam qenë në situatë të bllokohet xhirollogaria, normalisht, me mirëkuptim, besim ndaj njëri-tjetrit, me sektorin privat dhe kështu po vazhdojmë.
Ajo që më shumë jam krenar, si kryetar, por para së gjithash si dibran, që është me vlerë të paçmuar është bashkëjetesa, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndërkombëtare me çfarë jemi shembull i cili duhet të jetë shembull në të gjithë Maqedoninë dhe më gjerë.
Ndërtuam godinë të re të gjimnazit me një sipërfaqe prej 5.4000 metra katrorë. Por, kjo që është më me rëndësi, pse e përmend këtë, se në këtë shkollë të mesme mësohet me një turn. Ndërsa mësimi për nxënësit bëhet edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase. Kaluam një vit pa kurrfarë problemi, as ndërfetar, as ndërkombëtar, as midis nxënësve, as midis mësimdhënësve, as midis prindërve. Kjo është krenaria e Dibrës dhe rajonit të Dibrës. Besoj se kështu do të vazhdojmë edhe më tej.
Sa i përket popullatës, edhe pse te ne në korrik dhe në gusht vijnë më shumë se mijëra kurbetçinj, kur Dibra merr jetë, krenohemi që nuk ka asnjë problem nga çfarëdo lloj aspekti. Lirisht mund të them, në këtë jam i bindur dhe në këtë punojmë së bashku, jo vetëm unë, por edhe të gjitha strukturat në komunë, Dibra do të mbetet simbol i tolerancës dhe bashkëjetesës. Dibra ka nevojë që njerëzit ta vizitojnë, të shohin, ta ndjejnë mikpritjen, të binden se ky qytet është shembull për të gjithë si mundet së bashku të jetohet bukur”, theksoi Lata.
Cilat janë problemet reale në pushtetin lokal?
-Nëse fillojmë të ankohemi, ka shumë, por ajo që është më me rëndësi të mbështeten projektet tona në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Besojë se për një, më së shumti dy vite nëse kalojnë ato projekte Dibra do të bëhet qytet i ri sepse projektet, programin e kemi kështu që mund të realizohet. Kur mundeshim për katër vite të vendosim 10.000 metra katror pllaka prej guri natyror, kjo na jep shpresë se mund të bëjmë shumë më shumë. Dibra nuk kishte as kanalizim atmosferik, por ne në qytet ndërtuam më shumë se dy kilometra. Kështu qyteti gradualisht merr karakterin e mjedisit urban dhe vazhdojmë sipas fjalës së dhënë: Dibra do të jetë qytet evropian, theksoi Lata.
Çfarë është ajo që duhet të ndryshojë që gjendja e komunës të përmirësohet?
– Zotim i ynë është që Dibra të ndryshojë komplet. Njerëzit të mos ikin nga Dibra, por të mbeten këtu, ardhmërinë e tyre ta shohin në vendlindje. Ka vetëm një punë të cilën duhet ta realizojmë, por këtu na duhet pëlqim i Qeverisë së Maqedonisë dhe ky është rindërtimi i sistemit të ujitjes në Dibër, që është me vlerë prej 10 milionë eurosh. Nëse këtë e realizojmë atëherë qytetarët e Dibrës nuk kanë të drejtë të ikin nga Dibra. Me këtë sistem përfshihen mbi dy mijë hektarë tokë pjellore bujqësore, që i jep jetë Dibrës. Prioriteti ynë kryesor është sistemi i ujitjes, i cili ujë merr nga liqeni dhe shtrihet deri në kufirin me Shqipërinë, me të cilën këtë vit kemi projekt në fushën e bujqësisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar prej 300 mijë eurosh.
Konsideroj se Dibra duhet të ketë fitim, ndërsa për fat të keq nuk ka, dhe ajo është punë inati sepse Dibra ka liqen prej 25 kilometrash gjatësi, 92 metra thellësi, ka një hidrocentral me tri turbina, ndërsa Dibra nuk ka asnjë fitim edhe pse me akumulimin janë shkrirë toka të mëdha pjellore sipërfaqësore. Ne kemi të drejtë vetëm që ta shohim liqenin dhe asgjë më tepër. Koncesioni i liqenit nuk është i komunës, nuk është i dibranëve dhe nëse duam të hamë krap nga Liqeni i Dibrës duhet të shkojmë në Ohër apo në Strugë sepse vetëm atje shitet.
Çfarë është prioriteti juaj?
Prioriteti kryesor është që kjo gjendje deri te e cila kemi arritur, kjo paqe kjo tolerancë, bashkëjetesë, bashkëpunim ta ruajmë dhe të tërheqim investime. Kompania e suksesshme ekzistuese “Knauf” ta zgjerojë prodhimin me prodhime të tjera në spektrin ekzistues sepse ka mundësi, ndërsa me këtë edhe punësime të reja. T’u ndihmojmë “Banjave të Dibrës-Capa” edhe ata t’i zgjerojnë kapacitetet e tyre.
Theks të veçantë do të vendosim në blegtori. Në Dibër kemi mbi 30 mijë krerë dele, që do të thotë një ekonomi e mirë dhe Dibra të zhvillohet me biznese të vogla familjare sepse ai që ishte investim i madh kaloi. Duhen biznese të vogla për përpunimin e drurit, të hekurit, të disa prodhimeve, të cilat në komuna të tjera ndoshta është vështirë të zhvillohen.
Ta ruajmë miqësinë, të ruhet bashkëjetesa, por të stimulohet ekonomia, ndërsa për stimulim të ekonomisë dëshirojmë të kemi mirëkuptimin dhe mbështetjen e Qeverisë dhe ministrive të Republikës së Maqedonisë.