Interi për formalitet ndaj Ludogorets, duan kualifikimin Man United, Arsenali e Roma

4

Europa League rikthehet për të luajtur aktin e dytë të fazës 1/16, në edicionin e 11-të të këtij kompeticioni dhe fati i shumë sfidave mbetet ende i hapur, kështu që në mënyrë të kuptueshme 90′ e ditës së enjte pritet të jenë përcaktuese për shumë nga këto përballje.

Klube si Baseli, Wolverhampton Wanderers apo dhe Eintracht Frankfurti duket sikur kanë bërë mjaftueshëm për të prenotuar një biletë mes 16 skuadrave më të mira të këtij aktiviteti, megjithëse, për hir të së vërtetës, formacioni i parë që kaloi zyrtarisht për në turin tjetër është ai i klubit skocez Rangers, që, pas triumfit 1-0 në Portugali, kaloi me shifrat e përgjithshme 4-2 skuadrën e Bragës, sidoqoftë shumë shumë pranë fazës së 1/8 është gjithashtu edhe ekipi i Interit, që në takimin e kthimit ka për të mbrojtur rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë.

Javën e kaluar, në Razgrad, zikaltrit shënuan dy herë në 20′ e fundit të takimit, me anë të dyshes Christian Eriksen – Romelu Lukaku, ndërsa këtë herë gjërat pritet të jenë akoma më të thjeshta, pasi takimimi do të luhet në Milano. Në fakt, ndeshja e orës 21:00 Inter – Ludogorets do të luhet pa spektatorë, për shkak të frikës së përhapjes së Coroanavirusit, pasi Italia është vendi më i prekur në Kontinentin e Vjetër dhe i treti në rruzull sa u përket rasteve të regjistruara me virusin vdekjeprurës COVID-19, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.

Trajneri Antonio Conte madje do të ketë luksin për të administruar rezultatin e ndeshjes së pare, duke përdorur futbollistë që kanë patur më pak hapësira, apo që janë përdorur më pak gjatë këtij sezoni, duke marrë në konsideratë faktin që të dielën në mbrëmje, në Torino, zikaltrit do të luajnë në Serinë A derbin e Italisë, pikërisht ndaj kampionëve në fuqi dhe skuadrës që kryeson për momentin kampionatin italian.

Interi konsiderohet si ekipi favorit nga “bookmakers”-at për edicionin e sivjetshëm të Europa League-s, ndërsa klubi i famshëm anglez i Manchester United ka humbur ndjeshëm terren, përsa u përket kuotave. “Djajtë e Kuq” ia dolën mbanë për të rrëmbyer një barazim me gola në takimin e vajtjes, në një duel ku trajneri norvegjez Ole Gunnar Solskjaer u mor më shumë me çështjen e topit dhe terrenin, por ku portieri Romero u fal nga gjyqtari kryesor i ndeshjes, pasi rrezikoi për të lënë në inferioritet numerik klubin anglez, ndërsa goli i barazimit u shënua nga sulmuesi francez Anthony Martial pas një gabimi të rëndë të mbrojtjes së Club Brugge-t.

“Topçinjtë” e Arsenalit vazhdojnë ngjitjen nën drejtimin e ish-kapitenit të tyre, Mikel Arteta, dhe në kryeqytet ekipi londinez do të bëj çmos për të ruajtur avantazhin e cmuar 1-0 që ekipi mori në Pire, ndaj Olimpiakosi. /

Po në mbrëmje, Ajaxi duhet të përpiqet shumë për të përmbysur disfatën e rëndë 2-0, që klubi nga Amsterdami pësoi në rrethinat e Madridit, në stadiumin “Coliseum Alfonso Perez” ndaj Getafes, skuadër që, ndonëse u mund në Primera Division brenda në shtëpi 3-0 nga Sevilla, përsëri renditet vetëm 1 pikë larg zonës Champions në kampionatin spanjoll.

Më herët, në Belgjikë në orën 18:55, Roma do të matë forcat me ekipin e Gentit, që në kampionatin belg pozicionohet në vendin e dytë, vetëm pas Club Brugge, me sfidën e parë që u fitua minimalisht nga verdhekuqtë 1-0, ndërkaq, në po të njëjtën orë, me interes pritet gjithashtu edhe dueli Porto – Bayer. Në Leverkusen “aspirinat” i mposhtën “dragonjtë” me shifrat 2-1, ndërsa në Portugali dy skuadrat pritet të dhurojnë të tjera emocione, duke patur parasysh golin e rëndësishëm që realizoi në Gjermani për ekipin luzitan mesfushori kolumbian Luis Diaz si dhe faktin që dy klubet luajnë në këtë kompeticion, pasi provuan më parë fatin në Champions gjatë këtij sezoni.

Comments are closed.