Në fund të vitit të kaluar fitoi Kupën e Libertadores me River Plate, duke zhvilluar paraqitje si protagonist, ndërsa nga të gjithë cilësohet si e tashmja dhe e ardhmja e mesfushës argjentinase.
Bëhet fjalë për talentin 20-vjeçar Exequiel Palacios, i cili ishte shumë pranë firmës me Realin e Madridit, por që tashmë negociatat kanë ngecur, pasi madrilenët nuk duken të predispozuar për t’i besuar vijimin e detyrës, trajnerit Solari.
Pikërisht për këtë arsye, në garë është futur fuqishëm Interi, që ia ka besuar këtë mision legjendës së futbollit zikaltër, por edhe atij argjentinas, Javier Zanettit, i cili mban edhe postin e zëvendës presidentin të klubit.
I takon pikërisht ish kapitenit zikaltër, që të bindë Palacios, por edhe drejtuesit e Riverit, që futbollisti të transferohet në Milano, ndërsa presidenti Zhang dhe Administratori Marotta, kanë dhënë miratimin për të paguar një shifër prej 20 milionë eurosh për kartonin e tij.
Vetë Palacios në një intervistë për mediat argjentinase ka pranuar se si Reali, ashtu edhe Interi, po ngulmojnë për të pasur shërbimet e tij, por ka theksuar se me negociatat merret menaxheri i tij, pasi vetë 20-vjeçari është i përqendruar te Riveri.
“Ndihem vërtetë i lumtur që klube të mëdha po shprehin interes për mua. Di që Reali i Madridit dhe Interi janë ato që kanë ngulmuar më shumë, por me të tjerat merren menaxherët e mi. Unë jam maksimalisht i përqendruar për të bërë mirë me River Platen”, deklaroi mesfushori.