Interi kërkon me ngulm një sulmues të fuqishëm, të aftë të udhëheqë një repart që pritet të mbetet pa argjentinasin Mauro Icardi së shpejti. Antonio Conte e ka bërë të qartë se lojtari ideal për të ardhmen është Romelu Lukaku, futbollist shumë i fuqishëm, i aftë të bëjë repart i vetëm dhe të shënojë me lehtësi impresionuese.
Për këtë arsye, Interi po mundohet të gjejë mënyrën për të blerë belgun pa shpenzuar shifra astronomike, por me Manchester United nuk është e lehtë të negociosh.
Red Devils do të bëjnë spastrim këtë verë, por nuk kanë probleme financiare dhe nuk do t’i dhurojnë lojtarët e vet kryesorë. Interi ka ofruar një objektiv të hershëm të klubit anglez, kroatin Ivan Perisic, në këmbim, duke shtuar edhe disa miliona euro, por United ka refuzuar prerë, sipas The Sun.
Lukaku vlerësohet rreth 75 milionë sterlina dhe synimi i United është të arkëtojë sa më shumë nga shitjet, për të tentuar pastaj blerjen e 3-4 yjeve të nivelit botëror, me Perisic që nuk është më një prioritet.