Interi nuk heq dorë nga pista që çon te Havier Pastore. Drejtori zikaltër Piero Ausilio është takuar me Marselo Simonien, menaxheri i argjentinasi, për të diskutuar mundësinë e transferimit të “El Falco” në “San Siro”. Futbollisti dëshiron të largohet nga Paris Sen Zhermen, për të luajtur rregullisht, por arritja e marrëveshjes mbetet shumë e komplikuar. PSZH nuk pranon huazimin e lojtarit dhe dëshiron shitjen përfundimtare të tij. Për më tepër, paga e Pastore është jashtëzakonisht e lartë për arkat e Interit, 9 milionë euro neto në sezon. 28-vjeçari Pastore ka luajtur më parë në Serie A me fanellën e Palermos ku në 69 ndeshje shënoi 14 gola dhe u ble nga PSZH në vitin 2011 për 45 milionë euro. Deri tani ai numëron 174 ndeshje dhe 29 gola me ekipin francez. Pastore ka qëndruar në stol në pjesën më të madhe të këtij sezoni, i mbyllur nga konkurrenca e Nejmar dhe Mbappes, të cilët u blenë gjatë merkatos së verës për një shumë totale që i kalon 400 milionë euro. Gjithashtu, ai numëron 2 gola në 29 ndeshje të luajtura me kombëtaren e Argjentinës.