Raxha Naingolan kaloi te Interi një vit më parë nga Roma, por aventura e tij me zikaltërit zgjati vetëm një sezon, pasi në merkaton e verës që lamë pas, ai u rikthye përsëri te Kaljari, për shkak se ishte i padëshiruar nga drejtuesit.
Belgu ka dhënë një intervistë së fundmi, ku flet për dashurinë që ka për Romën dhe Kaljarin. Gjithashtu thotë se Interin nuk mund ta konsiderojë si shtëpinë e tij:
“Tifozët e Interit nuk ishin të lumtur me mua kur luaja atje, dhe kishin të drejtë. Unë kisha thënë se më lëndoi më shumë largimi nga Roma, sesa isha i lumtur te zikaltërit. Nuk mund të dashuroja një ekip që kisha vetëm pak ditë atje. Tifozët nuk e morën ashtu siç duhej, më pas takova disa prej tyre dhe iu shpjegova gjithçka, dhe ata e kuptuan se çfarë po ndodhte. Unë kam luajtur te Roma për 4-5 vjet, dhe natyrisht dashuria ime për këtë ekipi, ishte e ndryshme nga ajo që kisha për Interin, rrëfehet Naingolan.
“Asnjëherë nuk kam kërkuar që tifozët domosdoshmërish të më duan, ata duhet të mbështesin ekipin dhe jo lojtarët individualisht. Unë kam dhënë gjithçka te Kaljari dhe Roma, dhe kjo mendoj se është arsyeja që i dua kaq shumë këto dy ekipe. Ndryshe nga ekipet e mëdha, te Kaljari nuk ka sekrete. Shtëpia ime është te Kaljari dhe Roma, sepse kam kaluar shumë vite në këto dy skuadra. Nuk mund ta konsideroj Interin si një shtëpi, pas një afati aq të shkurtër kohor”, përfundoi belgu.