Interi nuk dorëzohet, Marota ofertë të re me këste për Lukakun

Takimi i menaxherit të Romelu Lukakut, Federiko Pastorelo, në selinë e re të Interit zgjati vetëm 40 minuta. “Nuk ka asnjë risi, vetëm një bisedë për të kuptuar më mirë situatën, tani presim vendimet që do marrin”, deklaroi Pastorelo për gazetarët prezentë në përfundim të mbledhjes.

“Kohët nuk i vendosim ne”, vijoi. “Ndaj, është e qartë që nëse Interi dëshiron lojtarin, duhet të veprojë shpejt. 70 milionë? Për shifra nuk kam folur kurrë, s’di të them nëse janë ato që mendojnë drejtuesit zikaltër. Interi me siguri po përpiqet, është një objektiv i deklaruar, por jo gjithmonë objektivat janë të realizueshëm. Është gjithmonë shumë e vështirë”.

OFERTË E RE – Pra, thjesht një konfirmim i zërave që klubi i “Suning” po kërkon prej kohësh të përmbushë një nga kërkesat kryesore të trajnerit të ri, Antonio Konte. Tani administratori i deleguar internist, Xhuzepe Marota ,po përgatit ofertën e re për Lukakun, i cili ndërkohë vazhdon të stërvitet me Mançester Junajtidin dhe ka nisur fazën përgatitore me skuadrën. 26-vjeçari ka gjetur prej kohësh akordin me Interin për një pagë prej 6,5-7 milionë eurosh në sezon për katër ose pesë sezone. Propozimi i ri për “djajtë e kuq” mendohet të jetë pranë: anglezët, pasi këmbëngulën për një kohë të gjatë për 80 milionë euro (e njëjta shumë që iu pagua Evertonit në 2017-ën), mund të kënaqen edhe me 70; edhe nga fakti se trajneri Ole Gunar Solskjaer preferon të riun Markus Rashford kundrejt belgut. Marota po ideon një strategji, sipas së cilës, pagesa e shumës do ndahet mes huazimit (me siguri rreth 10 milionë) dhe detyrimit të blerjes (60).