Viti 2020 për Interin do të nisë me Napolin. Një pengesë e madhe, edhe pse ndeshjet e fundit në “San Paolo” nuk kanë shkuar shumë mirë. Megjithatë zikaltrit duan të vazhdojnë të mbajnë ritmin e Juventusit, duke luftuar deri në fund për titullin. Conte punon ditë pas dite në “Appiano Gentile”, ndërsa drejtuesit mendojnë për merkaton.
STRATEGJIA
Janari është muaji i negociatave që shpesh mund të rezultojnë vendimtare për pjesën e dytë të sezonit. Prioritet ka reparti i mesfushës dhe emri kryesor i lakuar në ambientet interiste mbetet gjithmonë ai i Arturo Vidalit. Në krahun tjetër qëndron një ëndërr, një dëshirë. Quhet Kristian Eriksen, mesfushor me vitlindje 1992 i Totenhemit.
Bisedimet për ta transferuar në Milano janë ende në faza fillestare. Bëhet fjalë për një marrëveshje të ndërlikuar dhe të vështirë, pasi për danezin ka konkurrencë të madhe. I skadon kontrata në verë dhe shumë klube e duan, si Reali dhe PSG, që mund t’i paguajnë një pagë më të lartë. Por, lojtari dhe përfaqësuesit kanë mbetur të kënaqur nga oferta: 10 milionë euro në sezon dhe rolin si imazh të skuadrës për të ardhmen. Për më shumë Interi i ka ofruar Totenhemit 20 milionë euro: kështu londinezët nuk do e humbisnin me zero.