Interi mbyll transferimin e talentit Agoume

Lucien Agoume është i Interit, për të konfirmuar finalizimin e operacionit mungon vetëm zyrtarizmi. Brenda pak ditësh, agjenti i lojtari ka qenë dy herë në selinë e Interit. Në takimin e parë arriti marrëveshjen personale të mesfushorit me klubin zikaltër dhe u kthye në Francë, aty ku i komunikoi detajet e operacionit klubit të Sochaux, që disponon kartonin e 17-vjeçarit.

Edhe pse është kaq i ri në moshë, Agoume ka bërë 16 paraqitje me Sochaux në Ligue 2, ku ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, që i krahasojnë karakteristikat e tij me ato të Paul Pogba.

Operacioni do të mbyllet për 4.5 milionë euro dhe do të ketë disa bonuse të rëndësishme në bazë të ecurisë së lojtarit, që fillimisht do të luajë me ekipin e të rinjve të Inter.