Interi është gati që të bëjë një goditje për çdo repart gjatë merkatos së verës, por shumë do të varet edhe nga largimet. Mes emrave që janë në axhendën e drejtorit sportiv Ausilio, edhe ai i Elseid Hysajt, një dashuri e vjetër, kurrë e lënë pas dore.
Gjatë gjithë kësaj kohe, zikaltrit kanë pritur vetëm që të ketë një “divorc” mes mbrojtësit shkodran dhe Napolit, për të tentuar sulmin, ndaj kanë mbajtur në kontakt agjentin Giuffredi. Tani që gjithçka po shkon drejt fundit në martesën mes futbollistit shqiptar dhe klubit axurr, rruga është më e lirë.
Hysaj dhe Napoli janë takuar për të fundit herë përpara një muaji dhe në një mbledhje që ka zgjatur dy orë, asgjë nuk është arritur. Elsi kërkon 2,5 mln euro në sezon dhe 1,6 mln eurot që fiton aktualisht i duken pak, sidomos pasi klauzola që Napoli vendosi ishte e frikshme: 50 mln euro.
Akord nuk ka për rritje rroge dhe tashmë vlera e lojtarit është 20-25 mln euro. Interi ka bërë sondazhin e rradhës dhe tani gjithçka mund të nisë të bëhet serioze. Hysaj te Interi, skuadra për të cilën ka bërë gjithmonë tifo dhe një ide e vjetër e kthyer në realitet.