Interi po planifikon ta transferojë Romelu Lukakun gjatë kësaj vere nga Manchester Unitedi. Por, nëse dështon sulmuesi belg, klubi italian i ka gjashtë alternativa të tjera për sulmin. Interi është i vendosur ta transferojë Romelu Lukakun e Manchester Unitedit, të cilin e sheh si zëvendësuesin ideal të Mauro Icardit, i cili pritet të largohet, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Mirëpo, Nerazzurri i kanë gjashtë alternativa të tjera nëse dështon transferimi i sulmuesit belg. Sipas mediave italiane, drejtuesit e klubit italian kanë nisur t’i vlerësojnë profilet tjera të lojtarëve për ta përforcuar sulmin.
Edin Dzeko mbetet një objektiv i vjetër i Interit, por krahas tij në listë tash janë futur edhe sulmuesit tjerë të njohur si Edinson Cavani, Karim Benzema, Duvan Zapata, Roberto Firmino, Rafael Alexandre Conceiçao Leao e Pierre-Emerick Aubameyang.
Sulmuesi boshnjak i Romës pritet të arrijë në “Giuseppe Meazza”, por trajneri Conte e ka kërkuar edhe një sulmues, i cili mund të jetë njëri nga të lartpërmendurit, nëse dështon pista e ish-sulmuesit të Evertonit dhe Chelseat.